Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, ka përsëritur distancimin e formacionit të tij politik nga të dy krahët tradicionalë të politikës shqiptare, qeveria dhe opozita, duke theksuar se Lëvizja Bashkë përfaqëson një alternativë të re.
Në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, Qori deklaroi se forca që ai përfaqëson do të ketë me siguri një kandidat për Bashkinë e Tiranës në rast të zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa kërkoi sërish shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Nuk kemi asnjë gjë të përbashkët as me qeverinë dhe as me opozitën. Kështu që ne jemi të distancuar nga çdo element i së keqes që na ka mbytur prej dekadash. Është një pluralizëm i ideve të ngushta, por jo i popullsisë. Nuk e di nëse do të ketë zgjedhje në Tiranë. Ajo që Lëvizja Bashkë ka në dorë është që me siguri do të ketë kandidatin e vet në Bashkinë e Tiranës, nëse do të jem unë apo dikush tjetër ka kohë. E sigurt është që ne do të bëjmë të njëjtën fushatë të pazakontë, kudo të na vijë rasti. Ne vazhdojmë të kërkojmë shkarkimin e Erion Veliajt, e kemi kundërshtuar në çdo hap të tij. Për ne është gjë pozitive që Veliaj është duke u hetuar. Për ne Veliaj duhet të shkarkohet dhe Tirana të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, tha Arlind Qori./abcnews.al

