Sulmuesi i Manchester Cityt, Riyad Mahrez, ka rënë pre e një ngjarjeje të pakëndshme në vitin 2017. Bëhet fjalë për një vjedhje në kartën e kreditit të yllit algjerian, pasi një mashtrues i ka shpenzuar plot 175.000 sterlina në total.
Në atë kohë lojtari luante për Leicester City dhe iu deshën plot pesë javë për ta kuptuar mashtrimin që po ndodhte. Sharif Mohamed ishte personi në fjalë, i cili ka bërë një jetë lluksi në atë kohë më paratë e Mahrez.
Sipas raportimit të “The Sun”, 32-vjeçari ka shpenzuar plot 20.000 sterlina në Ibiza në festa të ndryshme si dhe në veshje. Gjithashtu, mësohet se ai ka luajtur kazino në Britaninë e Madhe, por edhe ka kaluar disa netë në hotele me pesë yje.
Emri i Mohamed nuk është i panjohur për autoritet britanike, pasi në vitin 2009 u dënua me 45 muaj burg për grabitje. Për sa i përket çështjes së fundit, hetuesit ende nuk arrijnë të kuptojnë se si është bërë një dëm kaq i madh dhe Mahrez nuk ka kuptuar asgjë në atë kohë. /abcnews.al