Skema e mashtrimit te “Fondi Besa”, prokuroria mbyll hetimet, çon në gjyq pesë persona

schedule11:05 - 27 Korrik, 2024

schedule 11:05 - 27 Korrik, 2024

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dha ka dërguar për gjykim 5 persona mes të cilëve edhe 3 punonjës të fondit Besa që akuzohen se kanë mashtruar disa persona, duke marre kredi në emër të tyre në institucione financiare.

Sipas prokurorisë, 34-vjeçari Ledion Vrapi që jeton në Gjermani, në kohë të ndryshme ka mashtruar të paktën 15 persona duke iu marrë atyre të dhënat e kartës së identitetit e duke u thënë se do të hapte llogari bankare ne emër të tyre për të dërguar paratë e tij nga gjermania, dhe duke u dhënë në këmbim 50 mije lekë të reja.

Në këtë veprimtari të paligjshme është përfshirë edhe noterja Majlinda Demollari, e cila dyshohet se ka kryer noterizimin e kontratave pa qenë në dijeni apo të pranishëm personat e mashtruar.

Në këto kontrata sipas prokurorisë janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhëna të tjera, megjithatë noterja Majlinda Demollari ka kryer veprimet e jashtëligjshme. Ndërkohë si të dyshuar për “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, janë lënë në arrest shtëpie edhe Lindita Ndroqi, Linda Peçi, dhe Eros Aliu, pasi nga hetimet ka rezultuar se ata kanë dhënë kredi nga institucioni financiar ku punonin, mbi të dhëna të rreme.

Pas çeljes së llogarive bankare, 34-vjeçari me anë të fotove të kartave të identitetit të këtyre personave ai ka marrë kredi që variojnë nga 5 mijë deri 7 mijë euro. Paratë merreshin nga vetë 34-vjeçari pa I vënë në dijeni personat në fjalë për kredinë, ndërsa u jepte si shpërblim një shumë prej 50 mijë lekësh.

/abcnews.al/