Dy plumba i morën jetën mbrëmjen e sotme në Durrës 32-vjeçarit Jetmir Bregu i njohur edhe me emrin Ilir Kuçi.
Por si ndodhi atentati na lagjen nr. 16?
Gazetari i ABC, Leonidha Musai zbardh dinamikën e ngjarjes që tronditi qytetit bregdetar. Ishte ora 17:20 kur i riu zbriti nga makina e tij tip “Benz”, ndërkohë nga një tjetër makinë u zbraz ndaj tij një breshëri kallashnikovi.
Në makinën nga ku dolën plumbat mendohet se ishin dy persona. Autori ishte i ulur në sediljen e pasagjerit. Pasi u siguruan se plumbat e kapën objektivin në kokë dhe gjoks, makina me autorët brenda u zhduk në errësirë në mes të rrebeshit të shiut duke humbur gjurmët.
32-vjeçari u nis me shpejtësi për në spital, por ndërroi jetë rrugës.
Pikëpyetjet
Ngjarja nuk ka qenë konflikt i çastit dhe i riu nuk u plagos në këmbë, sikur raportoi policia në njoftimin e parë për mediat, por një atentat i mirëfilltë. Ekzekutimi ka vetëm pak që ka ndodhur, por hetimi do të zbulojë fakte të reja lidhur me autorët. Ende nuk dihet nëse autorët e ndoqën, apo kishin informacion mbi lëvizjet e tij dhe e pritën në lagjen nr. 16. Deri tani janë sekuestruar kamerat e sigurisë së lokalit pranë të cilit ndodhi ekzekutimi dhe të rrugës nga ku u larguan autorët. Por errësira dhe reshjet e dendura të shiut e bëjnë të vështirë identifikimin.
Pistat e hetimit
Është ende herët dhe në tryezën e grupit hetimor nuk ka një pistë konkrete lidhur me vrasjen, por indiciet e para janë se i riu ishte me precedent penal. Një gjë të tillë e vërteton edhe fakti që 32-vjeçari kishte ndryshuar emrin nga Jetmir Bregu në Ilir Kuçi. Të dhënat e para janë se e shkuara e tij kriminale lidhet me probleme jashtë vendit.
Dëshmitarët
Shpresa e policisë është te kamerat dhe dëshmitarët që ndodheshin në lokalin, pranë se cilit ndodhi ekzekutimi. Në momentin që dëgjuan breshërinë e të shtënave të kallashnikovit, qytetarët që ndodheshin në lokal dolën me shpejtësi jashtë. Gjashtë prej qytetarëve janë shoqëruar për t’u pyetur nëse i kanë parë autorët e vrasjes dhe detaje të tjera që mund të jenë të vlefshme për hetimin. Në vendin e ngjarjes përpos grupit. hetimor nga Tirana ka shkuar edhe drejtori i departamentit të policisë kriminale, Tonin Vocaj.
db/Abcnews.al