Një diagnozë të shpejtë dhe vendimtare tek shumë pacientë mjekët e kanë të vështirë ta vendosin pa kryerjen e një skaneri.
Një model i ri i tij vjen për herë të parë në Shqipëri, në Spitalin Amerikan 3 në Tiranë dhe ofron përmirësime të ndjeshme krahasuar me pajisjet e përdorura më parë.
“Është një aparaturë e teknologjisë së lartë, me 128 dedektorë. Ky është me dy llamba.”
Radiologu Arben Dhima na tregon se përmes këtij skaneri mjeku arrin të marrë një pamje të detajuar dhe me cilësi të lartë të organit që diagnostikon në një kohë më të shkurtër.
Ndërsa pacienti ka mundësinë e një qëndrimi më komod dhe ekspozimi shumë më të ulët ndaj rrezatimit.
“Grupi i pacientëve që përfiton më shumë, janë ata kardiak. Sepse skanimi arrihet në një kohë rekord, në më pak se 1 sekondë. Redukton shumë ato që quhen imazhe parazitare që qëndrojnë pranë hijes së zemrës. Pakëson dëmet që vijnë nga fragmentet metalikë, rezolucioni është shumë i lartë. Është shumë i vlefshëm për moshat e vjetra, kur kanë probleme me frymëmarrjen. Shpejtësia e kalimit mbi trupin e njeriut është më e madhe, cilësia vjen më e mirë. Po kështu edhe për fëmijët e vegjël që nuk mund të rrinë në shtrat për një kohë të gjatë.”
Skaneri flash,sipas specialistëve, ofron mundësinë e saktësimit të diagnozës në pak minuta. /abcnews.al/