Duhet të vendoset një filtër që të kontrollojë rreptësisht kompanitë dhe proceduart që ndjekin për të marrë një tjetër. Këtë sugjerim ka bërë kryetari i grupit parlamentar socialist në emër të ligjvënësve. Ai kërkoi që prokuroria t’i shkojë deri në fund hetimit.
I thanë po deputetët e mazhorancës ndryshimeve në ligjin për prokurimin publik, por nuk mjafton për të shmangur depërtimet siç i quajti Taulant Balla kompanitë fantazëm që marrin paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“Ne si ligjvënës na takon që të heqim sa më shumë filtrin për të garantuar ofertuesin më të mirë, por edhe cilësinë më të mirë të punëve publike”.
Kryetari i grupit Parlamentar Socialist nuk u ndal gjatë në dy tenderat që i dhanë nëpërmjet falsifikimit të dokumentave 30 milionë euro kompanisë DH Albania.Por sqaroi se praktikat korruptive kanë vite që grabisin taksat e shqiptarëve.
“Mbaj mend rreth 15-20 vite më parë një kompani turke “Behase” e la Peqinin e Rrogozhinën pa rrugë e më pas një kompani me emër “Serenissima” mbajti peng për vite me radhe By Pass-in e Fierit e të Vlorës”.
E rëndë është edhe kjo që ka ndodhur sot sipas Taulant Ballës, por ka shpresë se drejtësia do të zbulojë edhe ata zyrtarë që mund të kenë kontribuar në skandalin më të fundit.
“Është e papranueshme sesi mund të guxojë një kompani që gjoja vjen nga Amerika dhe mund të përzgjidhet fituese, sigurisht Ministria ia ka referuar prokurorisë dhe jam i sigurtë që prokuroria i ka mjetet dhe provat për t’i shkuar deri në fund kësaj historie”.
DH Albania arriti të fitojë dy tendera në muaj pasi ishte regjistruar në QKR, 12 milionë euro nga operatori i sistemit të transmetimit dhe18 milionë euro për ndërtimin e mbikalimit në projektin e Unazës së madhe. Këtu puna vazhdon dhe këtë e tregojnë edhe pamjet filmike të Bashkisë Tiranë.
Një tjetër godinë tre katëshe është prishur në gjurmën e unazës së madhe pranë zonës që njihet si Astiri. /abcnews.al