Skandali me të dhënat e Facebook, mbyllet Cambridge Analytica

schedule12:47 - 3 Maj, 2018

schedule 12:47 - 3 Maj, 2018

Kompania e konsulencës, e përfshirë në skandalin me të dhënat e përdoruesve të Facebook, ka mbyllur aktivitetin e saj. Pavarësisht këtij veprimi, hetimet do të vijojnë.

Cambridge Analytica ka mbyllur të gjithë veprimtarinë e saj. Kjo është bërë e ditur nga vetë kompania britanike me anë të një deklarate.

“Në muajt e fundit, Cambridge Analytica ka qenë subjekt i disa akuzave të pabazuara dhe, pavarësisht nga përpjekjet e kompanisë për të korrigjuar informacionin, është denigruar për aktivitete që nuk janë vetëm ligjore, por janë pranuar gjerësisht”, thuhet në shënim.

Kompania, e cila ka filluar procedurat e falimentimit në Mbretërinë e Bashkuar, ka qenë në qendër të skandalit të të dhënave të përdoruesve të Facebook.

Cambridge Analytica akuzohet se ka përdorur për qëllime elektorale të dhënat e mbledhura nga studiuesi Aleksandr Kogan. Informacionet janë siguruar, me konsensusin e Facebook dhe atë të përdoruesve në 2013, përmes një testimit të personalitetit në formën e një aplikacioni.

Për këtë skandal pati reagime të shumta si dhe u hap një hetim në Mbretërinë e Bashkuar. Dyshohet se në mënyrë të papërshtatshme janë përdorur të dhënat personale të rreth 87 milionë personave në të gjithë botën. Gjithashtu besohet se kompania e konsulencës ka ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane si dhe referendumin për Brexit.

“Hetimet do të vazhdojnë. Mbyllja e Cambridge Analytica nuk ndryshon angazhimin tonë dhe përkushtimin për të kuptuar ekzaktësisht se çfarë ka ndodhur”.

Kështu deklaron Facebook duke komentuar pezullimin e aktivitetit. Gjithashtu rrjeti social më i madh në botë tregon se po punon që kjo të mos përsëritet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!