Skandali me pagat në Shqipëri merr dhenë në rajon dhe Europë: Tronditje e madhe

schedule09:39 - 23 Dhjetor, 2021

schedule 09:39 - 23 Dhjetor, 2021

Publikimi i pagave dhe të dhënave personale të më shumë se 637 mijë qytetarëve në Shqipëri ka bërë jehonë Ballkan dhe Europë. Janë të shumta mediat që i kanë dhënë hapësirë skandalit duke e cilësuar si tronditje të madhe.

“Balkaninsight” shkruan që prokuroria ka nisur hetimet për rrjedhjen e informacionit që është bërë kryefjalë në Shqipëri. “Euroactiv” thekson se “kjo është hera e dytë këtë vit që Shqipëria pëson një shkelje të madhe të të dhënave personale” pas atij të patronazhistëve përpara zgjedhjeve.

“Newseurope.fr” gjithashtu ka publikuar lajmin. “Skandali trondit Shqipërinë” është titulli i Agjencisë Informative Mediatike (MIA) në Shkup. Edhe në Serbi lajmi është publikuar nga disa faqe. “Kurir” hapet me titullin “Skandal i rëndë në Shqipëri. Publikohen të dhënat personale dhe shumat e pagave të 637 138 qytetarëve”.

Por cfarë ndodhi?

Pagat, kartat e identitetit dhe të dhëna të tjera të mijëra qytetarëve janë bërë publike. Paraditen e së mërkurës, një grup qytetarësh i janë drejtuar prokurorisë së Tiranës ku kanë kallëzuar publikimin e këtyre të dhënave.

Mësohet se organi i akuzës do të kërkojë zyrtarisht informacion në Drejtorinë e Tatimeve dhe Institutin e Sigurimeve për të verifikuar se nga kanë dalë këto të dhëna.

Në listat e publikuar, rezultojnë emra personash që janë punësuar në institucione shtetërore dhe ato private, ku shfaqen të dhënat e pagës ku nuk mungojnë zyrtarë shtetërorë, drejtues të drejtësisë së re, të gardës së republikës, të zgjedhur vendorë apo edhe paga e punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Është lista pagesa ku pasqyrohen të dhënat e  637 mijë personave, të cilën Abcnews.al e disponon.

Publikimi i tyre vjen pak muaj pas rrjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, në të ashtuquajturin skandali i patronazhistëve.

 

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!