Skandali i zhvatjeve në Shkup, arrestohen dy persona

schedule15:49 - 16 Korrik, 2019

schedule 15:49 - 16 Korrik, 2019

Dy persona të dyshuar për zhvatje të një biznesmeni të njohur nga Shkupi janë arrestuar. Njëri prej tyre është pronar joformal i një media në Shkup. Skandali që u publikua në Maqedoninë e Veriut të hënën, po kthehet në një çështje që rrezikon të trondisë shtetin. Rastësisht ose jo, disa orë para deklaratës për mediat të Prokurorisë dhe paralelisht me lajmin e arrestimit, Prokurorja Speciale Katica Janeva dha dorëheqjen nga posti i saj.

“Më falni që po iu ndërpres derisa po flisni gënjeshtra”.

Këto ishin fjalët e vetme të Bojan Jovanovskit, njëri nga dy të dyshuarit shantazh ndaj një biznesmeni të njohur, nga i cili dyshohet se kanë përfituar 1,5 milionë euro. Por se kush po flet gënjeshtra, do të tregojë procedura gjyqësore, të cilën dy të dyshuarit, Bojan Jovanovski dhe Zoran Mileski do ta presin në paraburgim, të cilin e caktoi Gjykata Penale e Shkupit. Argument i fortë i Prokurorisë Publike ishte fakti se Bojan Jovanovski, u kap në kufi duke tentuar të largohet nga shteti. E sa i përket provave…

“Si prova kemi video xhirime, si dhe audio xhirime nga bisedat telefonike”. 

Prokurorja Villma Ruskoska pret që hetimi të përfshijë edhe më shumë persona të dyshuar. Ajo konfirmoi se janë marrë telefonat e kryeprokurores së speciales, Katica Janevës, si dhe prokurores të rastit “Perandoria”, Lile Stefanovska, për të parë se a ka komunikim mes tyre dhe dy të dyshuarve kryesorë. Por Ruskoska tha se nuk i janë bastisur shtëpitë, kurse ata për momentin nuk janë nën hetim, por prova po mblidhen.

“Thashë edhe në konferencë për media se po zhvillohet edhe hetim financiar, për të gjitha pronat që i posedojnë të dyshuarit, për të cilat nuk mund të provojnë se si i kanë fituar, Prokuroria nëse ngrit akuzë, do të kërkojë konfiskimin e atyre pronave”.

Sipas Prokurorisë, Bojan Jovanovski paratë i ka marrë nga biznesmeni, duke i premtuar se do të lehtësohet procedura që po zhvillohej ndaj tij. Shuma e plotë që Jovanovski e ka kërkuar ka qenë 8 milionë euro, por ia ka “mundësuar” biznesmenit të njohur që të paguaj në këste./ABC News Albania 24/7