Skandali i ministres Gjonaj, emëron drejtor burgu të shkarkuarin te Aluizni

schedule22:06 - 23 Tetor, 2019

schedule 22:06 - 23 Tetor, 2019

Ministres se Drejtësisë i plas skandali në dorë. Drejtori i burgut të Vlorës Egon Velaj u emërua prej saj para 6 ditësh në këtë post, edhe pse ishte ne proces gjyqësor për shpërdorim detyre, pas shkarkimit po nga ministrja Gjonaj, gati një vit më parë, kur ishte drejtor i Aluiznit në Vlorë. Dje ai u dënua nga Gjykata e Vlorës me 6 muaj burg

Një emërim i bërë vetëm 6 ditë më parë nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj përbën skandalin e radhës për mënyrën e rekrutimit të nëpunësve në administratën publike. Është fjala për Egon Velajn, i emëruar javën e shkuar nga Gjonaj si drejtor i burgut në Vlorë, në kuadër të emërimeve të drejtuesve në 12 IEVP, pas shkarkimit të drejtuesve të tyre të mëparshëm.

Është po i njëjti person të cilin në Nëntor 2018 ministrja e Drejtësisë e kishte shkarkuar nga detyra e drejtorit rajonal të Aluiznit në Vlorë për shpërdorim detyre, duke e kaluar edhe për ndjekje penale.

Mbi këtë akuzë publike të ministres, prokuroria nisi hetimin e 6 personave, midis të cilëve edhe të Egon Velaj. Në shkurt të këtij viti, prokurori Anton Pali deklaroi se është provuar se grupi ka kryer  “shpërdorim detyre” dhe kërkoi dënimin e tyre me burg.

Por pa u mbushur ende një vit nga ky vendim dhe teksa ish vartësin e saj ia kishte lënë në dorë organeve te drejtësisë, ministrja Etilda Gjonaj i gjen atij një tjetër vend pune, edhe pse Velaj ishte ende në proces gjyqësor.

Tashmë prej 6 ditësh zoti Velaj është drejtor i Burgut në Vlorë, me firmën, vulën dhe bekimin e ministres Etilda Gjonaj. Por po prej kësaj të mërkure ai është edhe një i dënuar nga drejtësia shqiptare, pasi Gjykata e Vlorës dha vendimin për dënimin e tij me 6 muaj burg, të konvertuar në shërbim prove./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!