Skandal spiunazhi, publikohet video ku diplomati rus i jep një çantë me para agjentit serb

schedule22:53 - 20 Nëntor, 2019

schedule 22:53 - 20 Nëntor, 2019

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç urdhëroi nisjen e hetimeve, pas denoncimit në rrjetet sociale të një afere spiunazhi mes një dy zyrtarëve të shërbimeve sekrete ruse e serbe. Në video shihet një diplomat rus, i cili i dorëzon një çantë me para një agjenti serb. Autoritetet e Beogradit po zhvillojnë takime intensive rreth kësaj çështjeje.

Një video e publikuar në rrjetet sociale, ku një agjent i shërbimit rus të zbulimit shihet duke i dhënë para një zyrtari të shërbimit serb të sigurisë, mund të kthehet në një skandal spiunazhi mes Rusise dhe Serbise.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, urdhëroi nisin e hetimeve lidhur me raportimet për aferën e cila denoncohet përmes videos së publikuar më 17 nëntor në kanalin youtube. Një zyrtar i Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë, i tha televizionit shtetëror serb se videoxhirimi është autentik. Aty shihet një diplomat rus duke i dhënë një çantë agjentit serb në Beograd, nga e cila ky fundit nxorri një zarf me para.

Agjencia e lajmeve Tanjug citon ministrin serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i cili thotë se janë zhvilluar një sërë takimesh me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç rreth kësaj çështjeje dhe se më shumë informacione mund të priten orët në vijim, kur pritet të mblidhen shefat e shërbimeve të zbulimit dhe kundërspiunazhit.

Mediat serbe cituan kryeministren Ana Bërnabiç të ketë thënë që “nëse kjo del e vërtetë, do të jetë një problem i madh”.

Sipas raportimeve të mediave serbe, presidenti Vuçic do ta diskutojë këtë çështje edhe me ambasadorin rus në Beograd, Alexander Bocan Harchenko.

Zyrtari i shërbimeve sekrete serbe, Rela Zhelski, pohoi se në video shihet agjenti rus i zbulimit, Georgij Kleban, por nuk dha asnjë hollësi për agjentin e dyshuar serb. Serbia mbetet aleate e Rusisë, ndonëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Nga ana e saj, Rusia mbështet qëndrimin e Beogradit i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!