Skandal përgjimesh në Serbi, Vuçiç akuzohet për zbulim të sekretit shtetëror

schedule15:38 - 2 Gusht, 2019

schedule 15:38 - 2 Gusht, 2019

Një skandal përgjimesh ka përfshirë në ditët e fundit edhe Serbinë. Presidenti Aleksandar Vuçiç ka publikuar dokumente sekrete që tregojnë se ai është përgjuar kur ka qenë në opozitë. Lëvizja e kreut të shtetit është kritikuar nga ish-zyrtarë serbë, me argumentin se cënon sistemin e sigurisë së vendit.

Atë që ndodhë në fqinjësi, prite në shtëpi! Kjo thënie jona e moçme, pas skandaleve të përgjimeve në disa vende të rajonit, përfshirë këtu Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, por edhe Kosovën, është bërë aktuale edhe në Serbinë fqinje. Ka qenë presidenti Aleksandër Vuçiç ai i cili, në një televizion të afërt me regjimin e tij, ka shpalosur dokumente që dëshmojnë se ka qenë i përgjuar për mbi 20 vjet në kohën e veprimit të tij prej opozitari, nga viti 1995 e deri më 2012. Ai, si prove për këtë në televizionin Pink ka cituar raporte zyrtare të klasifikuara si sekret shtetëror, duke përmenduar edhe emra gjykatësish të cilët kishin autorizuar përgjimin, por edhe emra të diplomatëve të huaj, kryesisht nga Franca, Hungaria, Rusia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët kishte kontaktuar.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë: “Ata kanë marrë rusët, amerikanët, hungarezët dhe francezët në mënyrë që të shikojnë tërërsisht politikën time dhe politikën tone edhe ndaj evropianëve, edhe ndaj rajonit, edhe ndaj fuqive të mëdha, Rusisë dhe Amerikës”, vlerësoi Vuçiç duke shpalosur dokumente që në krye mbajnë togfjalëshin ‘Sekret shtetëror”.

Një veprim i këtillë i shefit të shtetit është kritikuar nga ish-zyrtarë, por edhe ekspertë të fushës, të cilët për televizionin N1 thonë se një veprim i këtillë është i palejueshëm, për shkak se, thonë ata, cënojnë sistemin e sigurisë së vendit. Boris Tadiç është ish president i Serbisë, në kohën e të cilit është bërë shumica e përgjimeve:

Boris Tadiç, ish-president i Serbisë: “Zbulon sekrete të shtetit, kryen vepra penale. Shkatërron shërbimin e sigurimit të shtetit dhe themelet e shtetit që janë shërbimet e sigurimit të shtetit, pa të cilat është i pamundur ekzistimi i shteteve”, vlerëson Boris Tadiç duke shtruar pyetje se kush do të mund të punojë në të ardhen në këtë shërbim kur presidenti i shtetit zbulon sekrete shtetërore.

Ekspertët e fushës në Beograd thonë se pëgjimi i diplomatëve të huaj bënë pjesë në atë që cilësohet si ‘përpunim statusor’, ndërkohë që analistët publikimin e dokumenteve me siglën ‘sekret shtetëror’ e shikojnë si përpjekje të presidentit Vuçiç dhe qeverisë së tij për të spostuar vëmendjen nga vala e protestave antiqeveritare që prej muajsh ka mbërthyer qytetet më të mëdha të Serbisë. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!