Skandal përgjimesh në Greqi: Kryeministri nën presion

schedule08:19 - 11 Gusht, 2022

schedule 08:19 - 11 Gusht, 2022

Shërbimi sekret grek ka përgjuar një gazetare dhe një politikan me emër të opozitës. Skandali mund t’i shkaktojë një krizë serioze kryeministrit Mitsotaqis.

Kryeministri grek është duke përjetuar ditët më të vështira të qëndrimit të deritanishëm në post. Vërtet që krizat nuk kanë munguar pas zgjedhjeve të 2019, por kjo e tanishmja ka të bëjë me një skandal përgjimesh dhe mund të kthehet në krizë serioze për Qiriakos Mitsotaqisin. Afera u zbulua nga gazetarët investigativë grekë.

Që muaj më parë u bë e njohur, se reporteri për çështjet financiare Thanasis Koukaqis ishte përgjuar me telefon. Në celularin e tij u identifikua prezenca e programit të përgjimit, të quajtur Predator. Javën e kaluar doli se gazetari vëzhgohej nga shërbimi sekret grek. Dhe jo vetëm tek ai, por edhe tek Nikos Androulaqis, kryetari i socialdemokratëve PASOK, partisë së tretë më të madhe të vendit dhe anëtar i Parlamentit Europian u vu re se ishin bërë përpjekje për t’i instaluar në celular programin Predator. Politikani europian nuk klikoi tek linku me të cilin do të ishte aktivizuar softwari, por informoi shërbimin e sigurimit kibernetik të Parlamentit të BE-së.

Androulaqis kërkoi përgjigje nga qeveria greke. Kështu ai mësoi se telefoni i tij ka qenë përgjuar për disa kohë nga shërbimi sekret, në periudhën kur ai pati kandiduar për kryetar partie. E përditshmja “Kathimerini” shkruante, se sipas shefit të shërbimit sekret grek Panajotis Kontoleon, shërbimet sekrete ukrainase dhe armene kishin kërkuar vëzhgimin. Ambasadorët e të dy vendeve e hodhën poshtë këtë pretendim duke dhënë deklarata me shkrim.

Dorëheqje në Athinë

Ditën e premte (5.08.2022) dhanë dorëheqjen dy persona me emër nga rrethi i ngushtë i Mitsotaqisit: Fillimisht dha dorëheqjen Grigoris Dimitriadis, shefi i zyrës së Mitsotaqisit dhe krahu i djathtë i tij. Njëkohësisht dhe nipi i tij. Pak më vonë dha dorëheqjen edhe vetë shefi i shërbimit sekret, Kontoleon. Të dy theksuan se kryeminstri nuk ishte informuar për vëzhgimet. Por, pas fitores në zgjedhje në vitin 2019, Mitsotaqis, i pati marrë përsipër vetë kompetencat për shërbimin sekret. Megjithatë qeveria nuk pranoi të ketë ndonjë lidhje me vendosjen e predatorëve dhe skandalet e përgjimit.

Ndërkohë Grigoris Dimitriadisi ka hapur padi kundër rrjetit gazetaresk Reporters United, i cili pati informuar për lidhjen midis ish-shefit të zyrës së Mitsotaqisit dhe firmës Intellexa. Kjo firmë izraelite shet në Greqi programin e përgjimit, Predator.

Griechenlands Regierungschef Mitsotakis

Mitsotaqisi thekson rëndësinë e shërbimit sekret

Të hënën (8.08.2022) në orën 14:00 foli për herë të parë edhe kryeministri: “Ne nuk durojmë hije në demokracinë tonë,” tha ai në fillim të deklaratës së dhënë me video dhe transmetuar nga televizioni shtetëror ERT. “Kjo nuk duhet të kishte ndodhur”, pranoi kryeministri duke folur vetëm për përgjimin e politikanit Androulakis, por jo për përgjimin e gazetarit Koukakis.

Kryeminstri nuk donte të merrte përsipër përgjegjësi personale për skandalet e përgjimit, por përmendi dorëheqjet e shefit të shërbimit sekret dhe “shefit të zyrës së kryeministrit”. Ai me mjeshtëri e shmangu formulimin për shefin e zyrës “sime”: “Unë nuk dija gjë për këtë dhe nuk do ta kisha lejuar një gjë të tillë,” tha kryeministri grek.

Mitsotaqisi vuri theksin tek roli i rëndësishëm i shërbimeve sekrete, i cili duhet kontrolluar më mirë në të ardhmen, në bazë të një plani katër pikësh. Ky institucion ndodhet para “sfidave të mëdha në Egje dhe Evros”, tha ai duke pasur parasysh konfliktet me Turqinë.

Pas përfundimit të deklaratës të kryeministrit, televizioni shtetëror, i kontrolluar nga kryeministri e kaloi transmetimin në një pikë karburanti, ku një klient i kënaqur njoftonte para kamerave se pas shumë muajve çmimi i benzinës ra nën kufirin e dy eurove.

Asnjë fjalë për Predatorin

Gazetarja Eliza Triantafillou ka luajtur rol të rëndësishëm në zbulimin e skandalit, Ajo kritikon kryeministrin që nuk e përmendi në fjalimin e tij kolegun Thanasis Koukakis: “Unë mendoj se ne të gjithë jemi të një mendjeje, se është shumë shqetësuese kur gazetarët kontrollohen dhe përgjohen në një vend demokratik”, tha ajo për Deutsche Wellen.

Edhe fakti që Mitsotaqisi nuk e përmendi programin përgjues Predator, nuk është shenjë e mirë: “Intellexa ka hapur një zyrë në Athinë që në vitin 2020. Do ishte qetësuese si për gazetarët edhe për qytetarët nëse ekziston vullneti politik për të gjetur kush e përdor këtë software të shtrenjtë dhe të fuqishëm kundër objektivave të caktuar në Greqi.”

Überwachungsskandal in Griechenland: Wie transparent ist das Land?Gazetari Thanasis Koukakis u përgjua

Triantafillou kritikon faktin që deri tani nuk janë zhvilluar hetime me themel, megjithëse ka pasur të dhëna të shumta që tregojnë se Koukakis dhe Androulakis nuk kanë qenë të vetmit persona të prekur nga përgjimet. “Për fat të keq, Zyra kombëtare e transparencës nuk e ka shfrytëzuar kohën e çmuar. Ajo vizitoi zyrat e Intellexa-s në kuadër të një vizite të njoftuar, në prezencë të avokatëve dhe konsulentit për taksat të firmës”. Gazetarja pyet çfarë do të ishte zbuluar nëse zyrat do të ishin kontrolluar pa u njoftuar më parë dhe nëse kontrolli do të ishte bërë me themel.

Kritika nga organizatat e huaja

Prej kohësh organizatat ndërkombëtare vëzhgojnë me shqetësim të madh zhvillimet e lirisë së shtypit në Greqi. Në indeksin e lirisë së shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij Greqia ra 38 pikë dhe kaloi në vendin e 108 në renditjen e 180 vendeve, duke qenë ndër vendet e fundit europiane.

Überwachungsskandal in Griechenland: Wie transparent ist das Land?Gazetarja Eliza Triantafillou

Jamie Wiseman, referent në institutin ndërkombëtar të shtypit, (IPI), kritikon mënyrën si Athina e trajtoi skandalin aktual: “Neve na vjen shumë keq që në deklaratën e tij kryeministri nuk e përmendi përgjimin e Thanasis Koukakisit. Ky është një nga rastet më të rënda të përgjimit të një gazetari në BE vitet e fundit. Ky rast karakterizohet nga mungesa e transparencës dhe shmangia e përgjegjësisë.”

Wiseman kërkon që Brukseli të ushtrojë më shumë presion, sa i përket programit përgjues Predator: “Ka rëndësi të madhe që komisioni hetimor i Parlamentit të BE-së të kërkojë përgjigje të menjëhershme nga qeveria greke, kryeministri grek dhe shërbimi sekret. Përveç kësaj duhen formuluar urgjentisht udhëzimet për një kontroll më të madh brenda BE-së në mbrojtjen ndaj sistemeve kibernetike të përgjimit.

Kurse Parlamenti grek do të merret më 22 gusht me skandalin e përgjimit.

/DW