Policia tajlandeze ka arrestuar një grua, e identifikuar nga autoritetet si “Zonja Golf”, e cila dyshohet se ka pasur marrëdhënie seksuale me murgj budistë dhe më pas i ka shantazhuar ata me foto dhe video të regjistruara gjatë akteve.
Sipas policisë, gruaja ka pasur marrëdhënie intime me të paktën nëntë murgj gjatë tre viteve të fundit dhe ka përfituar rreth 385 milionë baht (afërsisht 11.9 milionë dollarë amerikanë) nëpërmjet shantazhit.
Gjatë kontrollit në banesën e saj, hetuesit sekuestruan më shumë se 80 mijë foto dhe video, që dyshohet se janë përdorur për të kërcënuar murgjit që t’i kalonin para.
Ky është skandali më i fundit që trondit institucionin e shenjtë të Budizmit në Tajlandë, një vend ku mbi 90% e popullsisë identifikohet si budiste dhe murgjit gëzojnë nderim të lartë në shoqëri. Në vitet e fundit, ky institucion është përballur me akuza të përsëritura për abuzime seksuale dhe trafik droge nga murgj të ndryshëm.
Rasti erdhi në vëmendjen e policisë në mes të qershorit, pasi një abatë në Bangkok braktisi befas murgërinë, pasi u shantazhua nga një grua që pretendonte se kishte një fëmijë me të. Sipas autoriteteve, Zonja Golf e kishte takuar abatin në maj të vitit 2024 dhe më pas i kërkoi më shumë se shtatë milionë baht si mbështetje për fëmijën.
Hetimet zbuluan se edhe murgj të tjerë kishin kaluar shuma parash tek ajo, nëpërmjet një skeme të përsëritur të shantazhit, që policia e përshkroi si “modus operandi”-n e saj. Më tej, u zbulua se pjesa më e madhe e parave ishin tërhequr dhe disa prej tyre ishin përdorur për lojëra fati online.
Zonja Golf përballet me akuza për shantazh, pastrim parash dhe përfitim të pasurive të vjedhura.
Autoritetet kanë hapur një linjë telefonike për të raportuar raste të “sjelljes së papërshtatshme” nga murgjit, ndërsa Këshilli Suprem i Sanghas, organi më i lartë drejtues i Budizmit tajlandez, njoftoi ngritjen e një komisioni të posaçëm për rishikimin e rregullave murgërore.
Qeveria tajlandeze po shqyrton gjithashtu ndëshkime më të ashpra, përfshirë gjoba dhe burg, për murgjit që shkelin kodin etik.
Në të njëjtën kohë, Mbreti i Tajlandës, Maha Vajiralongkorn, ka revokuar një urdhër mbretëror të qershorit që i jepte tituj të lartë 81 murgjve, duke cituar rastet e fundit të abuzimeve që, sipas tij, “kanë shkaktuar vuajtje të thella shpirtërore tek besimtarët budistë”.
Skandalet në institucionin budist nuk janë të reja. Në vitin 2017, murgji i njohur Ëirapol Sukphol u përball me akuza për abuzime seksuale, mashtrim dhe pastrim parash, ndërsa në vitin 2022, një tempull në provincën Phetchabun mbeti pa asnjë murg pasi katër prej tyre u arrestuan gjatë një operacioni antidrogë dhe u çmurgëruan.
Sipas studiuesve, problemet me disiplinën dhe mungesën e llogaridhënies në strukturën hierarkike të Sanghas vazhdojnë të mbeten thelbësore. “Është një sistem autoritar, i ngjashëm me burokracinë tajlandeze, ku murgjit e lartë janë si zyrtarë të lartë dhe të rinjtë nuk guxojnë të flasin,” tha studiuesi Suraphot Thaëeesak për BBC Thai.
Megjithatë, hetimet e fundit nga policia dhe Këshilli i Sanghas shihen nga disa si një hap i rëndësishëm drejt reformimit të një institucioni që prej kohësh ka nevojë për transparencë.
“Sfida është të zbardhet e vërteta, që publiku të rifitojë besimin te pafajësia e institucionit budist,” tha Prakirati Satasut, sociolog në Universitetin Thammasat në Bangkok. “Tani varet nëse Këshilli Suprem i Sanghas do të pranojë të ‘presë disa gjymtyrë’ për të shpëtuar organizatën.”/abcnews.al

