Shefi i kabinetit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Visar Syla i ka thënë KosovaPress-it, se nuk ka shtyrje të vendimit.
Ai përmes telefonit u shpreh se nuk ka ndonjë ndryshim të vendimit dhe se në lidhje me këtë çështje do të njoftohemi me kohë.
“Nuk ka ndonjë ndryshim, nëse ka ndryshime do të njoftoheni në kohë”, tha ai.
Në objektin kryesor të strukturave paralele në Mitrovicën e Veriut, situata vazhdon të jetë e qetë.
Punëtorë të këtyre strukturave po qëndrojnë brenda objektit.
Deri më tani, ani pse ka përfunduar afati për lirimin e objektit, nuk janë parë pjesëtarë të forcave policore.
Ndërkaq, pranë objektit po qëndrojnë pjesëtarë të KFOR-it.
Ndryshe, sot përfundon afati që Komuna e Mitrovicës së Veriut, u ka dhënë strukturave paralele për lirimin e objektit në Lagjen e Boshnjakëve.
Objekti që nga paslufta po përdoret nga strukturat paralele të financuara nga Serbia.
/KosovaPress/