S’ka negociata me BE, Rama: Rusia ka mënyra për ta bërë Ballkanin të pambrojtur

schedule09:52 - 24 Qershor, 2022

schedule 09:52 - 24 Qershor, 2022

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndonëse i kanë përmbushur të gjitha kushtet, nuk i kanë nisur ende negociatat për pranim si kandidatë në BE, për shkak të vetos bullgare.

Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike.

Pakënaqësinë me mos përparimin në rrugën për anëtarësim në BE e shprehu edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Më lejoni të shpreh keqardhjen time për BE-në, më vjen keq për ta, shpresoj që mund të ndihmojmë”, tha ai ditën e djeshme. Rama shtoi se nuk ka shpresuar në shumë progres në këtë çështje para ardhjes në samit.

Ndërkohë në një intervistë të dhënë së fundmi për mediat italiane Corriere Della Sera, Rama u pyet se kur realisht mendon se Shqipërisë mund të anëtarësohet në BE?

“Sinqerisht? E pamundur të thuhet. Të parashikosh lëvizjet e BE-së është si të parashikosh fatkeqësi të mëdha natyrore” tha Rama.

Një pyetje tjetër që iu shtrua kryeministrit ishte nëse rrezikohet Ballkani nga infiltrimi nga Rusia dhe Kina me këtë ngërç?

“Nuk ka dyshim se zona përfaqëson një pikë të dobët të kontinentit për sa i përket rrezikut të depërtimit nga subjekte të tjera. Nëse shikojmë Rusinë, është e qartë se ajo ka mënyrat dhe kanalet e veta që e bëjnë Ballkanin të pambrojtur: kjo është arsyeja pse ne dhe shtetet e tjera të zonës po punojmë për Ballkanin e hapur që pret të anëtarësohet në BE”, shtoi i pari i qeverisë.

Putini do të jetë i lumtur me këtë ngërç…?

“Putini mund të mos jetë në gjendje të mirë shëndetësore, por Bashkimi Evropian nuk është më mirë”. shtoi Rama.

/abcnews.al/