S’ka marrëveshje për dinarin, përfundon pa sukses takimi i kryenegociatorëve në Bruksel

schedule16:35 - 25 Mars, 2024

schedule 16:35 - 25 Mars, 2024

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë përfunduar pa ndonjë rezultatet takimet në Bruksel për çështjen e dinarit serb.

Pas takimit, Besnik Bislimi ka thënë se ka nevojë edhe për një takim tjetër javën që vjen. Sipas tij propozimet e palëve për çështjen e dinarit janë akoma larg njëra-tjetrës.

“U pa që ka një dallim të madh të propozimeve të të dyja palëve dhe pas disa bisedimeve u dakorduam se ka nevojë edhe për një takim të radhës për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhje apo jo” është shprehur Bislimi.

Ai ka deklaruar se mendon që pala kosovare ka nxjerr një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit finalë pa u lënduar në asnjë moment Rregullorja e BQK-së dhe legjislacioni në fuqi. Bislimi ka theksuar se në takimin e se hënës të dyja palët kishin për detyrë që t’i arsyetonin propozimet e tyre.

“Ne kemi komentuar propozimet e palës tjetër për të parë se në çfarë mase ato janë brenda kornizave për të cilat jemi dakorduar dhe pastaj kemi argumentuar secili për secilin nen të propozimit tonë, por pastaj gjatë bilateraleve është parë që ka ende nevojë për përafrim të qëndrimeve, andaj është dakorduar që të provohet edhe një takim gjatë javës së ardhshme”, ka deklaruar Bislimi.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se propozimi i Prishtinës nuk çon drejt një zgjidhje kompromisi.

“Ne e kemi paraqitur propozimin tonë, Prishtina ka paraqitur propozimin e saj. Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë dhe është bërë në marrëveshje me ekspertët tanë. Në anën tjetër, ju keni propozimin e Prishtinës, për të cilin nuk do të doja të flisja tani, mjafton të them se ana tjetër nuk bënë as përpjekjen më të vogël që ajo letër mund të quhet propozim, që shkon në drejtimin e një zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviç.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!