Situatë e rënduar pandemie në Kosovë

schedule14:32 - 22 Janar, 2022

schedule 14:32 - 22 Janar, 2022

Një rritje kaq e lartë infektimesh në Kosovë, me rreth 3000 të infektuar në ditë nuk është shënuar që nga muaji gusht i vitit të shkuar, kur Kosova u përball me situatë të rëndë shëndetësore. Nga dita e shtunë (22.01) Kosova ashpërson masat kundër përhapjes së koronavirusit për shkak të rritjes së madhe të numrit të të infektuarve me Covid-19. Nga rreth tre mijë raste të infektimit që po shënohen në ditë, qeveria e Kosovës vendosi që të zgjasë orën e ndalim qarkullimit dhe të shkurtojë orët e punës së gastronomisë.

Masat e reja

Sipas masave të reja, ndalim qarkullimi bëhet nga ora 22:00 deri në 5:00 të mëgjesit, ndërsa gastronomia duhet të mbyllet nga ora 21:00 e mbrëmjes.

“Cilido person që hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me tri doza, ose edhe me dy doza, por edhe me një test PCR të 48 orëve të fundit. Nga kjo kërkesë lirohen ata që hyjnë tranzit, diplomatët e huaj, fëmijët nën 12-vjeç, e ata që kanë dëshmi mjekësore se janë të liruar nga vaksinimi”, thuhet në njoftim. Në këtë masë përjashtim bëjnë edhe shtetasit e Kosovës që s’kanë dy doza të vaksinës, por ata duhet të karantinohen në shtëpi për shtatë ditë. Në të gjitha institucionet publike, punonjësve do t’u kërkohet ҫertifikata e vaksinimit më te paktën dy doza.

Omikron dominus – rrezik mbingarkese në spitale

“Ndalohet veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve. Operatorët e transportit publik lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50 për qind të kapacitetit të ulëseve”, thuhet në njoftim. Megjithatë, procesi mësimor do të zhvillohet me prezencë fizike, ndërsa, në ambiente të mbyllura grumbullimet lejohen me maksimum 30 persona. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, gjendja në spitalet e Kosovës mbetet nën kontroll dhe e menaxhueshme, por rreziku mbetet i lartë për shkak se varianti Omikron mbetet dominues.

Numri i rreth tre mijë rasteve të infektimit në ditë u konfirmua pas më shumë se 11 mijë e 500 testeve, ku rreth 25 për qind e të testuarve dolën pozitiv, një rritje kjo shumëfish më e lartë krahasuar me dy javë më parë kur shifra ishte rreth 3 për qind. Një rritje e tillë e numrit të të infektuarve nuk është shënuar nga muaji gusht i vitit të shkuar, kur Kosova u përball me situatën më të rëndë shëndetësore. Mbi 12 mijë raste mbesin aktive me Covid-19 në Kosovë. Nga fillimi i janarit, shtatë persona kanë humbur jetën nga pasojat e Covid-19, duke e çuar në 2 mijë 997 numrin e atyre që kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

Opozita kundërshton

Partitë politike opozitare kundërshtuan ashpërsimin e masave të qeverisë, duke e akuzuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për siҫ thonë keqmenaxhimin e situatës me pandeminë. “Për papërgjegjësitë e veta dhe keqmenaxhimin e situatës me pandeminë, qeveria tani po i bie në qafë qytetarëve dhe gastronomëve duke kufizuar orarin e lëvizjes dhe mbylljen e hershme të gastronomisë. Këto masa tashmë nuk kanë asnjë efekt në parandalimin e përhapjes së virusit, siç edhe është dëshmuar”, shkroi në facebook, lideri i AAK-së, ish kryeministri Ramush Haradinaj. Sipas tij, masat e ndërmara janë veprime ad-hoc të pa analizuara mirë. /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!