Situata në Veri, Stoltenberg në konferencë me Vuçiç: Do të dërgojmë forca e do të ndërhyjmë aty ku nevojitet

schedule16:36 - 17 Gusht, 2022

schedule 16:36 - 17 Gusht, 2022

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur për situatën e tensionuar në veri më 31 korrik, është shprehur pasditen e së mërkurës se KFOR-i në Kosovë ka rol neutral por janë në gjendje të dërgojnë forca shtesë dhe të intervenojnë aty ku nevojitet.

Stoltenberg në një konferencë të përbashkët me presidentin serb Vuçiç është shprehur se qëllimi i KFOR-it është të ulin tensionet.

“Nëse ka nevojë ne do të dërgojmë forca shtesë dhe do të intervenojmë aty ku nevojitet dhe do të veprojmë në mënyrë proporcionale. Qëllimi ynë është të ulim tensionet. Roli i NATO-s në Kosovë është i bazuar në mandatin e OKB-së, që do të thotë se roli ynë është neutral dhe angazhohemi për sigurinë e të gjithë komuniteteve. Ne përkrahim dialogun politik të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne nuk do të përfshihemi dhe do të mbajmë rolin neutral”, tha Stoltenberg.

I pyetur nëse ushtria serbe ka kaluar vijën administrative të kufirit me Kosovën, Vuçiç tha se kjo s’ka ndodhur dhe se s’do të ndodhë.

“Ushtria e Serbisë nuk e kanë kaluar vijën administrative, s’ka ndodhur dhe s’do të ndodhë që të ketë sulm nga ushtria serbe, Serbia ushtarakisht është shtet neutral dhe dëshiron të mbajë paqen”, tha Vuçiç në konferencë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!