Shifra të larta të infektuarish me koronavirus janë konfirmuar ditët e fundit në vendin tonë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se tashmë në spitalet COVID në vend ka nisur trajtimi i pacientëve me terapinë e plazmës së gjakut.
Ministrja Ogerta Manastirliu ka thënë se 16 pacientë po trajtohen më këtë terapi të re në të dy spitalet COVID.
“Janë 51 qytetarë të cilët na janë bashkuar në nismën tonë ‘Bëhu hero për dikë që ka nevojë për ty’, të cilët, pasi e kanë kaluar COVID19 kanë dhuruar plazmën dhe nga ana tjetër janë 16 pacientë në Spitalin Infektiv dhe atë Shefqet Ndroqi, që kanë përfituar nga kjo terapi e re. Plazma është një armë më shumë në të gjithë terapitë që ne tashmë kemi siguruar për trajtimin e COVID19”, tha Manastirliu.
Manastirliu gjithashtu ka bërë apel në lidhje me hapjen e shkollave, që të jenë më të vëmendshëm dhe të kenë një kujdes më të shtuar ndaj rregullave anti Covid.
“Për të gjithë ata qytetarë që ndihen të stigmatizuar, duhet menjëherë të kontaktojnë mjekun e familjes dhe nëse nuk e dinë se cili është mjeku i familjes, 0800 40 40 është linja falas që kemi vënë në dispozicion, ku mund të marrin kontaktin e mjekut të familjes. Asnjë moment dhe asnjë minutë nuk duhet humbur për të trajtuar simptomat e Covid-19. Mjeku i familjes është për të gjithë ju dhe spitalet gjithashtu janë në gatishmëri që rastet që janë problematike që kanë një avancim të sëmundjes të munden të trajtohen aty”, ka thënë Manastriliu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se aktualisht në të dy sptialet covid ka edhe 30% të kapacieteve të lira dhe me plotësimin e tyre do të hapen dy spitalet e tjerë të dedikuar COVID, të cilët janë gati infrastrukturë dhe burime njerëzore.
“Spitalet Covid 1 dhe 2 janë fuqizuar me aparatura të reja për t’ju përgjigjur edhe fluksit në rritje, por aktualisht kemi rreth 30% të kapaciteteve të lira vetëm në këto dy spitale. Ndërkohë që janë gati edhe dy spitale të tjera që ne i kemi përshtatur në rastet kur do ketë fluks në vjeshtë-dimër. Sepse dëgjoj që thonë pse nuk i hapni spitalet, por spitalet nuk mund të hapen pacientë. Spitalet janë aty, me infrastrukturën e përshtatshme duke pasur edhe ekipet e mjekëve dhe infermierëve, që nëse do këtë fluks, do të jenë gati për të ofruar shërbimin. Ndërkohë plani ynë parashikon një dyfishim të kapaciteteve sepse dhe spitalet rajonale, duke përcaktuar ato spitale që kanë potenciale më të mëdha, do të jenë gati të presin pacientë më Covid19 në rast se kapacitetet në katër spitale covid do të ezaurohen”, është shprehur ndër të tjera ajo./abcnews.al