“Shtetrrethimi”: Qytetarët në rrethe të pabindur, mbushin kafenetë e dalin me makina private

schedule15:40 - 13 Mars, 2020

schedule 15:40 - 13 Mars, 2020

Duke nisur nga ora 16.00 e mëngjesit të së premtes hynë në fuqi edhe masat shtrënguese për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit në Shqipëri.

Në disa qytete është ndaluar qarkullimi i automjeteve ndërsa në disa të tjera janë vendosur rregulla për mbajtjen e distancës me tavolinave dhe personave. Por si janë zbatuar këto rregulla jashtë Tiranës? Në një panoramë të përgjithshme duket se kujdesi jashtë kryeqytetit është më i ulët.

Duke folur direkt nga Saranda, gazetarja e Abc News, Silvi Sula ka treguar sesi është situata në qytetin bregdetar.

Gazetarja u shpreh se edhe pse masat shtohen, në Sarandë ndërgjegjësimi është minimal. Sula shpjegoi se kafenetë dhe rrugët e qytetit janë plot dhe se qytetarët nuk po e marrin aspak seriozisht situatën.

Nga ana tjetër, pas vendosjes së “shtetrrethimit”, në pamjet e siguruara nga Abc News, duket se rrugët janë zbrazur. Ndërsa numri i qytetareve që shihen të kalojnë është i vogël.

Një prej tyre, i siguruar me maskë u shpreh:

“Kam dale do marr bukën do psonis, nuk dal më pastaj. U dërgoj një mesazh njerëzve që të marrin çfarë kanë për të marrë e të futen të rrinë në shtëpi.”

Në orët e para të mëngjesit është parë një reduktim i qarkullimit dhe lëvizjes së qytetarëve në Vlorë, me sa duket disa prej tyre nuk i kanë rezistuar shumë qëndrimit të domosdoshëm në shtëpi. Për të pabindurit, policia ka vënë gjoba.

Në Durrës, situata duket e qetë, rrugët janë të boshatisura ndërsa ka pasur edhe nga ata që nuk i kanë respektuar rregullat dhe kanë dalë me automjete private. Për këtë arsye rreth 22 automjete janë bllokuar. Ndërsa mbyllja e bizneseve ka bërë që të ulet numri i personave që dalin jashtë shtëpive.

Sa i përket situatës në Patos, situata paraqitej e qetë derisa më vonë gjatë ditës u konfirmua se një 66-vjeçar i kthyer nga Italia më 3 mars, ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Pas këtij lajmi është urdhëruar edhe mbyllja e bizneseve ndërsa qytetarët janë njoftuar që të qëndrojnë në shtëpi. /abcnews.al/