Analisti Edvin Kulluri i ftuar në edicionin qendror të lajmeve në Abc të moderuar nga Juli Xhokaxhi, ka komentuar situatën politike brenda PD.
Ai tha se ajo çfarë tregoi gjithë ky vit është se opozita nuk e ka gjetur gjuhën e zgjidhjes dhe është shumë e vështirë ta bëjë edhe përgjatë vitit të ardhshëm.
Sipas tij me aktorët politikë që ka në krye opozita në të dy krahët, është e pamundur që të fitojnë zgjedhjet përballë mazhorancës socialiste.
Pjesë nga biseda:
Xhokaxhi: U përmbyll edhe ky sesion parlamentar, protagonizmin për shkak të zhvillimeve të brendshme e ka patur PD. Protagonizëm i cili ishte edhe këtë javë.
Kulluri: Më lehtë seç e nisi po të kemi parasysh 8 janarin, por ky nuk është një lajm i mirë. Marrëdhëniet politike brenda PD janë katastrofë. Është një parti që nuk po gjen dot minimumin e vullnetit për të dalë nga kjo gjendje. Nuk po del nga kjo gjendje që ka nisur që nga 2017-të. Kjo marrje zvarrë e krizës na kanë çuar në këtë pikë. Jemi në episodet e fundit të krizës, nuk ka shans të mbarojë as vitin tjetër.
Xhokaxhi: Nuk mund të shërbejnë zgjedhjet e ardhshme për ndryshim të situatës?
Kulluri: Unë mendoj që me këta aktorë në të dy krahët nuk ka të ardhme opozita. Janë të njëjtët aktorë që ndërrojnë karriget me njëri-tjetrin. Ju e keni parë që drejtues qarqesh ose kandidatë për deputetë janë po ata që humbën në 2021-n. Një nga kandidaturat më të mira që ka PD është pjesë e listës humbëse të 2021. Ata nuk mundën PS-në, mundën njëri-tjetrin. E kanë lënë vendin pa një opozitë serioze.
/Abcnews.al/