Situata në Dibër, akset ku kalohet me zinxhirë, dëmtohet rrjeti elektrik, disa fshatra pa energji

schedule12:09 - 2 Shkurt, 2022

schedule 12:09 - 2 Shkurt, 2022

Reshjet e dëborës kanë sjellë një situatë problematike edhe në qarkun e Dibrës. Trashësia e dëborës në qytet arrin deri në 20 cm ndërsa në zonat e thella shkon deri në 40 cm.

Bypass-i i Murrizit në rrugën e Arbrit është hapur prej orëve të pasdites me ndërhyrjen e katër borëpastrueseve që kanë bërë kriposjen e rrugës. Aktualisht kalimi bëhet me zinxhirë.

Edhe në aksin Peshkopi- Kala e Dodës -Kukës kalimi bëhet me zinxhirë, ndërsa më i vështirë është segmenti nga Cereni deri në Vasie pasi era mbush trupin e rrugës me borë duke vështirësuar punën e borëpastrueseve.

Po ashtu në aksin Peshkopi-Qafë Draj-Kukës kalimi bëhet me zinxhirë pasi bora ka zënë rrugën e ngrirë në disa segmente dhe ka rrezik për rrëshqitje.

Një pjesë e rrugëve rurale janë të hapura, por vijojnë të jenë të bllokuara rrugët lidhëse të fshatrave mes tyre dhe me qendrat e njësive administrative.

Problematike është situata në Njësitë Administrative Lurë, Selishtë, Sllovë, Kala e Dodës në Dibër, ndërsa më e qetë paraqitet në Bulqizë Njësitë Krastë, Ostren, Trebisht dhe disa fshatra të Zerqanit.

Si pasojë e reshjeve të dëborës dhe erës së fortë janë dëmtuar shtylla dhe përcjellës elektrikë. Janë pa energji elektrike 8 fshatra në Lurë, fshatrat e Kalasë së Dodës, dhe një pjesë e Sllovës. Energjia mungon edhe në Njësinë Ostren dhe Krastë në Bulqizë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!