Situata me zjarret, Rama dhe Peleshi bëjnë bilancin: Ku janë vatrat më problematike

schedule19:29 - 7 Gusht, 2021

schedule 19:29 - 7 Gusht, 2021

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, kanë bërë një bilanc lidhur me situatën e 24 orëve të për sa u përket zjarreve në vendin tonë.

Sipas të dhënave nga ministria e Mbrojtjes situata e zjarrit në Dukat është përmirësuar, por puna e forcave operacionale po vijon për mbajtjen nën kontroll të flakëve nga toka.

E vështirë paraqitet situata në fshatin Thirrë, në bashkinë Mirditë, ku zjarri ka përparuar duke u futur në zonë me dendësi pyjore. Aty forcat po punojnë për të ndërprerë vijën e zjarrit në afërsi të rrugës së fshatit. Në varësi të situatës mund të parashikohet edhe ndërhyrje nga ajri.

Vatra e zjarrit në fshatin Munellë-Domgjon, në Fan të Mirditës është izoluar në njërën anë, por ka përhapje në pjesën e sipërme, ku ndërhyrja bëhet e vështirë.

Edhe në Kukës në Majën e Rrunës, ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit, por situata po mbahet nën kontroll, në mënyrë që të mos ketë përhapje.

Vatra të tjera, të cilat janë nën kontroll janë në luginën e Valbonës, në fshatin Klysyrë, në fshatin Gjorgos të Fierit, ku situata është përmirësuar.

Nuk ka rrezik për banesa dhe po mbahen nën monitorim vatrat; afër Kepit të Rodonit në Durrës, një vatër në fshatin Deshiran në bashkinë e Belshit, ku era po ndërlikon punën e forcave operacionale.

Zjarri në fshatin Treblovë, në bashkinë Selenicë është shuar.

Një vatër në terren të vështirë është paraqitur në vendin e quajtur “Varri i Nures”, në kufi midis Përmetit dhe Skraparit në Bejkollarë, por nuk rrezikon përhapjen e flakëve. Po punohet për izolimin e saj.

Punonjësit e zjarrfikëses dhe emergjencave civile po punojnë për të mos lejuar përhapjen e flakëve në një vatër zjarri  në zonat e mbrojtura Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli, në fshatin Bejkollarë, në Gjirokastër.

Ndëkrohë Rama dhe Peleshi në rrjetet sociale kanë publikuar edhe pamjet e helikopterëve gjatë ndërhyrjeve për shuarjen e flakëve. /acbnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!