Zhvillime të shumta në Superiore dhe çështja e nxehtë janë pankinat. Te Partizani për momentin kanë evituar shkarkimin e Adolfo Sormanit dhe presin që italiani të japë dorëheqjen, në mënyrë që të shmangin një dëm të madh financiar.
Dritan Mehmeti shikohet si pasuesi i italianit në tetë javët e mbetura dhe ky është një prej lajmeve kryesore të “Panorama Sport”. Në faqen e parë të kësaj gazete evidentohen edhe dy lajme të tjera, që lidhen me Tiranën e Vllazninë.
Në kampin bardheblu në verë pritet të humbin një prej lojtarëve kryesorë, Idriz Bathën. Autori i 10 golave me bardheblutë, pritet që të transferohet jashtë vendit dhe Lugano i ka bërë një ofertë. Gjithçka është në fazë të avancuar dhe pritet vetëm firma.
Te Vllaznia fokusi është te trajneri i ri, ai që do të pasojë Mirsad Jonuz. Katër emra kanë dale në skenë. Mirel Josa, i larguar para pak kohësh nga Prishtina, lakohet si opsion, sikurse edhe trajnerë të tjerë si Julian Ahmataj, Bledar Devolli dhe Samuel Nikaj. / abcnews.al