Nga Silvi Sulaj
Me ngrohjen e motit dhe uljen e shifrave të të infektuarve me Covid, Butrintit i kthehen vizitorët. Ata janë të shumtë dhe jo vetëm shqiptarë.
Duken të impresionuar nga ky qytet antik. Shumë prej tyre e vizitojnë për herë të parë.
“Është hera ime e parë në Shqipëri. Më pëlqeu, ishim dhe në Durrës edhe erdhëm këtu për një xhiro të bukur. Është një vend ku lëvizet, jo si te ne. Jemi të mbyllur. Ne jemi mësuar të shohim ndërtesa të vjetra në Itali, edhe kjo bën pjesë në historinë tonë romane. Butrinti ngjan me Venecian, Romën, ndihemi gati si në shtëpi. Është një eksperiencë e bukur me natyrë të bukur edhe vende të bukura”, thotë vizitorja nga Italia.
“Është një vend arkeologjik i bukur, vizituam kështjellën e cila kishte një pamje të mrekullueshme, edhe një natyrë të bukur. Jam nga Maqedonia, do të kthehem sërish”, shprehet një tjetër turiste.
Ndërsa ky i ri ka udhëtuar nga Amerika me shokun e tij shqiptar për të kaluar disa ditë në Shqipëri.
“Jam nga Florida, Shqipëria është një vend shumë i bukur njerëzit janë shumë të mirë, deti është shumë i bukur edhe malet. Qytetet gjithashtu me pëlqejnë. Tani do vizitojmë Butrintin”, thotë turisti.
“Njëherë në dy vjet vij. Pasi të mbaroj punë e të bëj lekë kam plan të jetoj këtu është vend i bukur. Dua të jetoj në fshat në Shën Mëri”, shprehet një tjetër vizitor.
Saranda nga Kosova do të qëndrojë disa ditë në qytetin nga ka marrë dhe emrin, në Sarandë.
“Është i mrekullueshëm edhe i propozoj të gjithëve ta vizitojnë këtë në të jugun se ka vende të bukura antike që mund ti shohin këtu”, shprehet vizitorja nga Kosova.
Ky sot që gëzon dhe mbrojtjen e UNESCO-s është vizituar dhe nga kosovarë të tjerë.
“ Më pëlqeu sidomos pjesa historike edhe muzeu ishte shumë interesant”.
“Kemi ardhur të qëndrojmë në Ksamil me kolegë mësues. E të vish këtu të mos vizitosh Butrintin. Vizituam edhe monumentet arkeologjike që dëshmojnë për kulturën, për traditën, për lashtësinë e popullit tonë”, thotë një tjetër vizitor nga Kosova.
Nëse të huajve nuk ju bën shumë përshtypje tarifa e vendosur për të hyrë në Butrint prej 1 mijë lekë, shqiptarëve që kanë nivel të ulët ekonomike ju rëndon xhepat .
“Vij sërisht pas 13 vitesh, përveç hyrjes që për mua është e ekzagjeruar për popullin tonë nuk e di për vizitorët e huaj si është. Për mendimin tim hiqni tarifat”, thotë qytetarja.
Qyteti antik i Butrintit mendohet se është ngritur në shekullin e VII p.e.s mbi këtë kodër dhe lahet nga tre anë me ujë. Në lindje dhe verilindje nga liqeni I Butrintit dhe në jug nga kanali që lidh liqenin me detin Jon.
U shpall për herë të parë monument kulture në vitin 1948 dhe u regjistrua në listën e trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 1999. Ndërsa në vitin 2000 u shpall Park Kombëtar dhe u morr në mbrojte nga shteti./abcnews.al