Nga Ajgena Korbi
Grumbullimet kanë shtuar të infektuarit me Covid në disa prej qyteteve të vendit. Në 100 mijë banorë dy javët e fundit 234 kanë rezultuar pozitiv. Numër më i lartë i tyre është gjetur në Gjirokastër, Tiranë dhe Vlorë.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico bëri të ditur situatën ndërsa deklaroi se autoritetet shëndetësore po mbajnë nën mbikqyrje shkollat dhe universitetet.
“Ne kemi një rritje të numrit në disa rrethe të mëdha siç është Gjirokastra, Tirana dhe Vlora. Padiskutim kemi edhe bashki më të vogla. Kemi njëherazi dhe një rritje të infektimeve si pasojë e grumbullimeve. Po monitorojmë shumë afër shkollat dhe Universitetet. Në këto ambiente ne kemi të rinj që nuk e vuajnë sëmundjen me ato simptoma që jemi mësuar, por të mos harrojmë që shërbejnë si vektor“, është shprehur Fico.
Shumë qytetarë dhe biznese po shpërfillin masat anti-covid ndërsa institucionet po neglizhojnë kontrollet.
Anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve apelon për respektim të tyre ndërkohë që nuk përjashton mundësinë e shtimit të kufizimeve në rast të përkeqësimit të treguesve epidemiologjik.
“Ne kemi qenë të kujdesshëm që të mos ketë masa penalizuese për shëndetin mendor të qytetarëve njëherazi dhe për ekonominë dhe duam që të shkojmë përpara. Ama nëse vazhdojmë më rritje të numrave të jemi të sigurtë që nuk do të hezitojmë të ndërmarrim masa të cilat do ti shkojnë përshtat detyrës që ne kemi si autoritete thjeshtë dhe vetëm për të minimizuar dhe ndërprerë zinxhirin e infeksionit. Ama institucionet shtetërore, operatorët ekonomikë në auditore dhe kudo duhet të ndërmerren masa sepse jemi në kohë për të mos shkuar në një dishezë të cilën askush nuk e pëlqen”, ka thënë ajo.
Për të shmangur rëndimin e situatës dhe rastet e rënda mjekja ndalet tek rëndësia e vaksinimit.
“Sa më shpejt të vaksinohemi aq më pak shanse i lemë virusit të bëjë mutacione. Ne jemi dëshmitar që një mutacion si “Delta” e solli pandeminë në një ringritje.”
Autoritetet shëndetësore shprehen se situata e Covid-19 aktualisht paraqitet e qëndrueshme, por me bashkëqarkullimin e gripit dhe të virozave të tjera respiratore pritet të rëndohet. /abcnews.al/