Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural deklaron se për të rehabilituar sistemin e ujitjes dhe kullimit të tokave bujqësore do të investohen 23 milionë euro shtesë. Peleshi ishte në Divjakë ku inspektoi përfundimin e fazës së parë të projektit.
Banka Botërore do të investojë rreth 23 milionë euro për të rehabilituar sistemin e ujitjes dhe kullimit në 15 mijë hektarë tokë bujqësore. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, deklaroi se kjo fazë e dytë e projektit do të nisë në vitin 2019.
“Pra, bëhet fjalë për Projektin e Bankës Botërore që ka përfshirë rinovimin, rikonstruksionin e Skemave Ujitjes së Krutjes, degës së Krutjes, degës së Tërbufit dhe Skemën Ujitëse të Divjakës ku jemi sot. Ndërkohë kemi lidhur kontratën dhe është duke filluar puna dhe për dy degë të tjera. Ne i quajme V1 dhe V2, degë të Krutjes. Së bashku bëhet fjalë përreth 16 mijë – 17 mijë hektarë, të cilat janë vendosur nën ujë, por që puna të kryhet duhet që edhe kanalet e treta, pra kanalet që çojnë ujin në parcelë të përfundojnë”, tha Peleshi.
Nga Divjaka ku inspektoi skemën e investimit të kryer ministri Peleshi kërkoi prej kryetarëve të bashkive të bashkëpunojnë me qeverinë për administrimin e kanaleve kulluese./abcnews.al