“Sistem autonomie spitalor”, Rama-mjekëve: Është bërë 100 milionë euro investim, pagat tuaja janë rritur

schedule10:24 - 1 Korrik, 2024

schedule 10:24 - 1 Korrik, 2024

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ka ardhur momentin që të deklarojnë hapur një sistem autonomie spitalor. Ai u është drejtuar bluzave të bardha duke thënë se është bërë një investim 100 milionë euro dhe se pagat e tyre janë rritur.

Sakaq, Rama ka theksuar se të gjitha këto janë bërë me paratë e pacientëve dhe familjarëve të tyre, të cilët i kanë besuar jetën mjekëve.

Ne do të angazhojmë shumë shpejt edhe një grup menaxherësh të huaj të strukturave spitalore publike, për të asistuar nga afër drejtuesen e re të QSUT-së dhe drejtuesit të tjerë të spitaleve të kësaj qendre, në mënyrë që të garantojmë sa më mirë edhe hapjen së shpejti të kapitullit të shumëpritur edhe të domosdoshëm të autonomisë spitalore që kjo qendër do të duhet ta ketë dhe që kësaj qendre do t’i duhet të japë të gjithë fleksibilitetin për t’i shpërblyer profesionistët e vetë sipas meritës, jo më thjesht me ato tavanet e njëjta, por jam këtu sot edhe për të thënë që veprimtaria kriminale e atij grupi keqbërësish njësoj si historia e paharrueshme e Tixhes, nuk e hedh dot kurrsesi poshtë përpjekjen tonë të palëkundur, të pa ndalur për ta shndërruar sistemin shëndetësor nga ngrehina e rrënuar ku e gjetëm dhe ku ju, e përjetonit pjesa më me eksperiencë e juaja, e përjetonit përditë kur vinit këtu, në një sistem shërbimesh funksionale, përkundrazi kjo që ndodh në këto momente na bën edhe më të vetëdijshëm për gjërat që duhen bërë akoma, por nëse ka një shembull kuptimplotë të të gjithë kësaj përpjekjeje është kantieri i transformimit rrënjësor të QSUT në dekadën e fundit, ku një vatër e rrezikshme infeksioni si ajo për të cilën jemi mbledhur sot apo me gjasë, largqoftë ndonjë tjetër e fshehur gjetkë në gjithë këtë territor të madh ku 3500 persona vijnë këtu çdo mëngjes dhe shërbejnë këtu 24 orë, nuk mund dot të shihen me filtrin e errët të këtyre individëve.

Aty ku 10 vjet më parë kishim një kompleks spitalor që dergjej si i sëmuri më i pashpresë i Tiranës, që ishte vetë mishërimi i gjithë problemit madhor të rrënimit të shërbimit publik shëndetësor spitalor, ne kemi sot një qendër spitalore universitare funksionale, e cila ka pa diskutim ende një sërë boshllëqesh për të mbushur dhe ka pa diskutim ende probleme të mëdha dhe të vogla për të zgjidhur, por nuk është qëllimi im sot që të fokusohem tek ndërhyrja masive e 10 viteve të fundit për transformimin e kësaj qendre, por ama kthimi i kokës pas në kohën kur aparaturat dhe pajisjet mjekësore mungonin thuajse krejt; kur barnat nuk e mbërrinin pragun e farmacisë që ishte katandisur në një magazinë bosh; kur ky spital ishte i pushtuar i gjithi nga një treg mallrash shumice në të gjitha hapësirat mes godinave dhe mjediset e brendshme dukeshin si ato stacionet e vjetra ku njerëzit prisnin trenin mes rrëmujës, mes pisllëkut, deri me biçikleta futeshin nëpër korridore, na duhet ky kthim koke për të kuptuar se e gjithë puna kolosale e kësaj dekade, falë investimit dhe taksave të shqiptarëve për shëndetin e tyre, kërkon mbrapsht nga ju dhe nga askush tjetër, përmes kësaj qendre, një shërbim të denjë në çdo komponent të saj.

Vetëm këtu janë investuar në totalin e vet 100 milionë euro në këto vite dhe sot pagat tuaja janë shumë më të larta se sa ishin ndërsa kushtet e punës suaj janë pakrahasimisht më të mira.

Sot ju keni një spital të ri të sëmundjeve të brendshme ndërtuar nga themelet me 345 shtretër, me një staf prej 612 mjekësh, infermierësh, teknikësh, koordinatorësh, me pajisje të reja për 14 shërbime klinike; si shërbim emergjence polivalente, imazheri dhe mjekësi nukleare së bashku me gjithë njësinë moderne të rehabilitimit fizik. Në spitalin e ri kirurgjikal Frederik Shiroka me 120 shtretër, shtatë salla operatore, reanimacion të dedikuar, janë shërbyer 30 mijë pacientë dhe është zvogëluar me dy herë qëndrimi. Instrumentet e reja, sterilizimi, veshjet një përdorimshme, sterilizimi i sallave të operacioneve në fund të çdo dite, janë të tëra risi që i kanë ulur ndjeshëm infeksionet spitalore, e kanë bërë jetën tuaj profesionale shumë më kuptimplotë, kanë shkurtuar kohën e operacioneve, kanë përmirësuar trajtimet  kirurgjikale pa diskutim dhe e kanë rritur numrin e ndërhyrjeve në 25 mijë në vit. Spitali i ri pediatrik  me një urgjencë të re pediatrike, me reanimacion pediatrik  me struktura sipas moshave, me bllok operator, me tre salla, mjedise cilësore para dhe pas operatore kanë ofruar 130 mijë shërbime për pacientët e vegjël.

Qendrën e konsultave ambulatore me kushtet optimale për pritjen dhe trajtimin sa më dinjitoz të pacientëve, me një sistem rezervimi online dhe telefonik për planifikimin që lehtëson ndjeshëm aksesin e shërbimin ambulator, sot tanimë e përdorin të gjithë dhe ia kanë parë edhe dobinë.

Spitalin e ri infektiv me 118 shtretër, dyfish të kapacitetit të Reanimacionit dhe shërbimit të urgjencës.

Spitalin e ri të pediatrisë së përgjithshme me 120 shtretër që është drejt përfundimit  për të garantuar shërbime cilësore  për të gjithë ata komponentë që mbulon.

Po përfundon ndërtimi i spitalit ditor me 60 shtretër, me një strukturë të re për hemodializën, toksikologjinë, hematologjinë dhe sëmundje të tjera që trajtohen ambulatorisht.

Do të përfundojë ndërtimi i spitalit Angiologjisë – kardiologjisë me kapacitet 80 shtretër, 3 salla operatore ku pritet të kryhen 2 mijë ndërhyrje në vit.

Tani të gjitha këto janë bërë me paratë e atyre njerëzve që vijnë të kërkojnë këtu përkujdesjen tuaj, nuk janë bërë me paratë tuaja, nuk janë bërë me paratë e mia, janë bërë me paratë e atyre që vijnë këtu tek ju për ndihmën tuaj dhe më paratë e atyre që i sjellin familjarët e tyre këtu në dorën tuaj. Ata që vijnë këtu për tu vizituar apo për tu shtruar e kanë bërë të tyren për ju, të gjitha këto janë të atyre. Pa ata do ishit akoma te ai pazari që përmenda më lart dhe që ju pjesa më e madhe këtu e keni jetuar me vite të tëra të poshtëruar në çdo lloj merite profesionale dhe e keni mbajtur këtë spital, e keni mbajtur këtë qendër vetëm me atë frymën e trashëguar nga Besim Elezi dhe profesorët tuaj”, tha ndër të tjera kryeministri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!