Sislej Xhafaj: Gjithmonë kemi jetuar me maska, por tashmë janë fakt i pandemisë

schedule17:15 - 26 Korrik, 2020

schedule 17:15 - 26 Korrik, 2020

“Arti është politike dhe politika është art, kjo fraze i rri me se miri, artistit bashkëkohor Sislej Xhafaj, i cili  edhe për këtë slogan ka një përgjigje.

“Politika ka një përgjegjësi, racionalitet dhe pasoja shumë më të mëdha. Ndërsa arti është magjik, i jashtëzakonshëm nuk ka përgjegjësi, por bën pyetje dhe politika duhet të japë përgjigje”.

Sislej Xhafaj është një prej artistëve bashkëkohorë, unik i cili ka përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Venecias e shumë aktivitete ndërkombëtare.

Aktualisht jeton në New York ,ku edhe zhvillon  jetën  artistike.

Rikthimet në Tiranë  i ka të përmallshme, por aq më  tepër në këtë kohë pandemie. Kësaj here flet për “boshin dhe artistin”.

Teksa e takon në oborrin e pasmë të Galerisë Kombëtare të Arteve, ai nxiton, nxjerr celularin dhe  fotografon skulpturat e diktatorëve të cilët i përngjajnë një instalacioni absurd në këtë muzg  që i ngjallin trishtim artistit.

“Nuk me krijojnë impresion. Është një trishtim po të mendosh të kaluarën e këtij vendi dhe të shumë vendeve të tjera. Është një moment reflektimi dhe një trishtim personal”, u shpreh ai.

Maska nuk është, një gjë e re, ai thotë se gjithmonë kemi jetuar me to, por tashmë janë bërë fakt.

“Ne gjithmonë kemi jetuar me maska, tani maskat janë fakt. Pandemia, izolimi ka krijuar një tragjedi globale të pamohueshme, por ka krijuar edhe një vlerë të vetmisë, sensibilitetit,  të solidaritetit dhe përkujdesit ndaj të tjerëve”, u shpreh ai.

Megjithatë, pranon se kësaj here ata duhen mbajtur me shumë për të mbrojtur të tjerët, se veten.

Kjo periudhë ka qenë frymëzim për Sislej Xhafajn, për realizimin e veprave artistike në këtë këndvështrim

“Personalisht për mua ka krijuar një vlerë të jashtëzakonshme, pasi ka krijuar një thellësi në raportin human-njerëzor. Ka krijuar njëfarë vetëdije. Tani koha ka vazhduar me një ritëm tjetër dhe besoj që kjo pandemi ka krijuar një vlerë shtesë”, shprehet ai.

Situata e pandemisë, ka shkaktuar kaos në art, pasi aktivitetet artistike janë paralizuar, të pakta kanë qenë realizimet për së gjalli, shumica sipas artistit janë zhvilluar on -line, por ai nuk pranon viktimizimin, sipas tij artisti duhet të shpikë forma të reja edhe në këto rrethana.

“Në këtë raste ne duhet të përshtatemi, të shpikim vetveten me kohën. Duhet të shpikim diçka të re, nuk duhet të jemi viktimë. Ne jemi njerëz që kemi ide dhe këto duhet të jenë prioritet”, tha ai.

Artisti kosovar mbylljen e kufijve për shkak të pandemisë ndaj Shqipërisë e komenton kështu:

“Pres nga Evropa që të ndihmojë Shqipërinë, por jo përmes bllokimit. Çdo formë e bllokimit është njëfarë kushtëzimi dhe kur dikush të kushtëzon atëherë reagon. Besoj që edhe Shqipëria ka reaguar”.

Pas bisedës  në  festivalin “ Reja” me miqtë artistë, ai do të rikthehet në Kosovë për të qëndruar pranë familjarëve të tij në këto kohë të vështira, dhe me pas do të kthehet në New York ku jeton e punon./abcnews.al/