Nesër luhet Real Madrid-Atletico Madrid, derbi i zjarrtë i kryeqytetit spanjoll (21:00). Të dy ekipet siguruan në mesjavë kualifikimin në 16 më të mirët e Champions League dhe do të tentojnë fitoren në derbi për t’i bërë një dhuratë fantastike tifozëve.
Zinedine Zidane flet në konferencën për shtypin rreth duelit ndaj skuadrës së Diego Simeones, teksa jep një koment edhe për Iscon, i cili ka humbur postin e titullarit. “Zhvilluam një ndeshje të bukur ndaj M’Gladbach dhe kjo është shumë pozitive.
Tani na pret derbi, takim të cilin duam ta fitojmë. Sigurisht që mbetemi favoritët për fitimin e kampionatit, si gjithmonë. E njohim mirë Atleticon. Simeone? Çdokush ka cilësitë e tij, qofshin pozitive apo edhe jo të tilla. Në kursin e trajnerëve më kanë mësuar të jem gjithmonë vetvetja.
Diego është një trajner i madh, por ne jemi gati të zbresim në fushë dhe të tregojmë se jemi Real Madrid. Isco? Ai nuk është aktivizuar shumë dhe e kuptoj plotësisht se çfarë ndjen. Kam shumë lojtarë, për një trajner është e vështirë të zgjedhë, pasi luajnë vetëm 11 lojtarë“, deklaron Zidane. /abcnews.al

