Sigurimi i Shtetit, si i garantoi pushtet të përjetshëm Enver Hoxhës

schedule09:33 - 17 Prill, 2020

schedule 09:33 - 17 Prill, 2020

Menjëherë pas marrjes së pushtetit, krerët komunistë shqiptarë, sipas modelit jugosllav të Josip Titos, ndërtuan policinë politike.

Qëllimi i krijimit të kësaj strukture ishte të ndihmonte në jetëgjatësinë e regjimit, apo më saktë ti pastronte rrugën Enver Hoxhës drejt një pushteti të përjetshëm.

E drejtuar nga i përkëdheluri i jugosllavëve, Koçi Xoxe, në vitet e para, policisë politike ju la dorë e lirë. Veprimet në këtë kohë ishin të dhunshme, një pjesë ekzekutimesh ishin pa gjyq, ndërsa shënjestra e preferuar ishin të gjithë ata shqiptarë që kishin pasur qoftë marrëdhënie pune, qoftë marrëdhënie miqësore.

Policia Politike, që shpejt nisi të quhej Sigurimi i Shtetit, do të funksiononte sipas rregullave të NKVD-së, shërbimit sekret sovjetik dhe pas vitin 1954 sipas rregullave të KGB-së.

Me ndihmën e shërbimit sekret sovjetik Sigurimi i Shtetit arriti tu bënte ballë përpjekjeve anglo-amerikane të viteve 1949-1953 për të rrëzuar pushtetin e Enver Hoxhës përmes një kryengritjeje të nxitur nga brenda me ndihmën e grupeve të desantëve që ata nisën të dërgonin.

Po kështu Sigurimi i Shtetit u përdor me sukses nga Enver Hoxha për të pastruar bashkëpunëtorët e vet të ngushtë, edhe pse në platformën e funksionimit të tij nuk parashikohej përgjimi apo përpunimi i anëtarëve të Partisë së Punës.

Pikërisht një historik të plotë të ndërtimit dhe funksionimit të Sigurimit të Shtetit do të sjellë në 50 minuta, të shtunën, në orën 22:00, emisioni Abc Story.

Emisioni vjen i ndërtuar përmes dokumentesh dhe dëshmish nga më të dhimbshmet dhe më domethënëset e kësaj periudhe kohore.

Gjithashtu në dokumentar janë të pasqyruara edhe shifrat më të sakta të veprimtarisë së Sigurimit, numri i bashkëpunëtorëve, i dosjeve, i të ndjekurve etj./abcnews.al