Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu inspektuan një patrullë shërbimi me radar për kontrollin e shpejtësisë së mjeteve, në aksin Elbasan – Tiranë. Lleshaj bëri të ditur se viti 2020 është shpallur viti i sigurisë rrugore.
“Viti 2020 është shpallur viti i sigurisë rrugore me qëllim që të gjitha strukturat e Ministrisë së Brendshme, të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të gjitha strukturat e tjera shtetërore, dhe jo, të angazhohen në një fushatë të madhe për forcimin e parametrave të sigurisë rrugore. Kemi ardhur sot këtu bashku me Drejtorin e Përgjithshëm për të parë konkretisht se si funksionon një pikë kontrolli këtu në këtë zonë, e cila përfaqëson një zonë me risk të lartë. Fatkeqësisht konstatojmë se ende numri i shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor është shumë i lartë. Vetëm për këtë muaj, që ende nuk është mbyllur, janë rreth 1.500 leje drejtimi të pezulluara, që është një shifër jashtëzakonisht e lartë, e cila na shqetëson për faktin se konstatojmë nivel papërgjegjshmërie të madh në rrugët e vendit nga një pjesë e konsiderueshme drejtuesish”, deklaroi Lleshaj.
Më tej Lleshaj u shpreh se synohet që në vitin 2020 të arrihet një rritje e ndjeshme e sigurisë në rrugë, ndërsa u bëri thirrje shoferëve të tregohen të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm.
“Shpresojmë dhe besojmë fort që në vitin 2020 do ta rrisim ndjeshëm nivelin e sigurisë në rrugë. Këtu kërkohet bashkëpunim i madh i qytetarëve, të cilët duhet të shtojnë komunikimin me Policinë e Shtetit, të komunikojnë dhe të raportojnë rastet e shkeljeve në qarkullimin rrugor, për arsye se çdo telefonatë dhe çdo bashkëpunim me Policinë e Shtetit, përkthehet në jetë të shpëtuara të qytetarëve shqiptarë”, tha Lleshaj./abcnews.al