Siguria rrugore ishte në fokus të emisionit “Real Story” mbrëmjen e kësaj të marte në ABC News, ku ekspertë të fushës dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore diskutuan mbi problematikat më të mprehta që lidhen me qarkullimin rrugor në vend.
Në qendër të debatit ishin ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor të miratuara në vitin 2023, të cilat, sipas ekspertit të sigurisë rrugore Islam Qibini, janë bërë pa konsultim me profesionistët dhe kanë ndikuar negativisht në garantimin e sigurisë në rrugë.
“Me ndryshimet e fundit që u bënë në vitin 2023, me ndryshimet e legjislacionit për Rregullat e Qarkullimit Rrugor. Me ndryshimet e 2023 një grup deputetësh për interesat e tyre, bënë ndryshime, pa marrë vendimin e ekspertëve që kanë ndikuar negativisht. Pezullimi i lejes së drejtimit konvertohet me dyfishin e gjobës. Gjë që ndikon negativisht për sigurinë rrugore. Gjobat e rrepta janë zgjidhje për një kategori të caktuar drejtuesish mjetesh. Nga mosha 24-35 vjeç janë personat me përqindjen më të lartë që marrin pjesë në aksidente.”
Ndërkohë, shefi i sigurisë rrugore Ledian Kerka paralajmëroi masa më të ashpra për shkelje të rrezikshme si drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit.
“Jemi në propozime për të bërë ndryshime, për disa shkelje që përbëjnë rrezik, si alkooli që do të ketë masa më të rrepta sigurie.”
Ndërsa analisti Eduard Zaloshnja propozoi ashpërsimin e dënimeve për aksidentet me pasojë vdekjen, duke i cilësuar si “vrasje rrugore”. Të dhënat tregojnë se grupmosha 24–35 vjeç është më e përfshira në aksidente, ndërsa qëndrimi i përbashkët i të ftuarve ishte se nevojiten masa të menduara mirë, të bazuara në analiza dhe jo në interesa të momentit, për të garantuar siguri më të lartë në rrugët e Shqipërisë.
“Aksident me pasojë vdekjen, është vrasje rrugore. Për mua duhet të ketë të paktën 15 vite burg, për drejtuesin. Në qoftë se me 80 km/h dhe përplas një njeri për vdekje, është vrasje e kategorisë së dytë, je potencialisht vrasës. Nëse je me 75 km/h, mbetet për t’u parë rrethanat.”/abcnews.al

