Ministri i Brendshëm Taulant Balla, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Velaj dhe drejtues të institucioneve lokale, e të Policisë së Shtetit, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor kanë zhvilluar një takim koordinues për të prezantuar Paketën e Sigurisë në Shkolla.
“Besoj se ndaj shqetësimin e të gjithë prindërve shqiptarë, që një prej sfidave tona më të mëdha është kthyer sot përdorimi i lëndëve narkotike te moshat e reja. Do ndalem më gjerësisht në pjesën që lidhet me luftën tonë pa kompromis ndaj këtij fenomeni, por dua pikë së pari ta përgëzoj Erionin, për këtë shkollë kaq të bukur, që na bashkëveprim me qeverinë shqiptare dhe më organizatat partnere, i kanë bërë të mundur t’i japin Tiranës një shkollë të standardeve më të mira europiane. Duhet të gjejmë një përgjigje urgjente për bullizimin dhe për shërimin e këtij fenomeni sado që të mundemi. Kemi aksidente rrugore ku na janë përfshirë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të atyre të mesme. Kemi një shkollë e cila preket nga një prej akseve të rëndësishme të qytetit të Tiranës, “Rruga e Barrikadave”, dhe prandaj Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, në bashkëveprim me Drejtorin e Policisë Vendore edhe me drejtuesit e njësisë së qarkullimit rrugor të Tiranës, duhet që në bashkëveprim me Policinë Bashkiake të kontrollojnë përkufizimin e shpejtësisë, nuk jam i bindur që kufizimi i shpejtësisë 40 km/orë është i sigurt”, tha Ministri.
Balla kërkoi angazhimin e çdo institucioni për përcaktimin e atij që do njihet si perimetri i sigurisë.
“Shitësi ambulant që shet ushqime pikante afër shkollës janë shërbime të cilat nuk mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre pa një kontroll shumë herë më strikt se në një pjesë tjetër të qytetit dhe prandaj dua që të jetë shumë e qartë edhe për bashkinë e Tiranës, edhe për institucionet e tjera, që ne duhet ta definojmë për çdo shkollë të Bashkisë Tiranë se kush është perimetri i sigurisë”, shtoi ai.
Ministri informoi gjithashtu se po punohet mbi ndryshimet në Kodin Penal që për disa vepra të ketë ashpërsim të masës.
“Nga shitja apo shpërndarja e lëndëve narkotike dhe më pas me mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit, armëve të ftohta, si dhe çdo vepër tjetër dhune, prostitucioni apo pornografie, ne do të rrisim ndëshkimet ndaj keqbërësve që përfshihen në këto vepra penale brenda perimetrit të sigurisë në shkolla. Objektivi ynë kryesor është pa as asnjë kompromis, parandalimi i kriminalitetit dhe i përdorimit të substancave narkotike në radhën e të miturve, si dhe goditja pa kompromis e rrjetit të shpërndarjes së drogës në perimetrin e sigurisë në shkolla në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë. Po dal tek një shifër, e cila ka tronditur në fakt vetë shtetet e Bashkuara të Amerikës, por na ka tronditur dhe ne, për sa jemi njohur përmes Sekretarit të Shtetit. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë vitit 2022 janë 110,000 të vdekur nga mbidozë, vetëm brenda një viti, ose siç thonë amerikanët më shumë të vdekur nga mbidoza gjatë vitit 2022, se sa amerikanë të vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore, në luftën kundër nazizmit. Nga këta 110,000 të vdekur në Shtetet e Bashkuara 2/3 kanë gjetur vdekjen për shkak të mbidozës ose efekteve të tjera negative nga drogat sintetike, opium, e cila është një drogë sintetike që prodhohet kryesisht në vendet aziatike dhe që trafikohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne, së fundi, falë goditjes së Policisë së Shtetit kemi arritur të bllokojmë një rrjet që shpërndan ose sjell në Shqipëri një prej këtyre drogave sintetik, ku ishte rasti i goditjes së një rrjeti kriminal që vinte nga Kosova me një numër të konsiderueshëm dozash dhe shumë shpejt do të kemi dhe rezultate të tjera, por e vërteta është që edhe në Shqipëri, droga të ngjashme. Duam që luftën kundër shpërndarësve ta ngremë në një nivel tjetër të pakrahasueshëm me gjithçka është bërë deri tani në Shqipëri kundër këtij fenomeni që po saboton të ardhmen e këtij vendi’, nënvizoi Ministri.
Bizneset tregtare që përfshihen në veprimtari penale në perimetrin e sigurisë në shkolla, do të përballen me të gjithë forcën e ligjit, deri në mbylljen e konfiskimin e pasurisë së tyre. Ai shtoi se për sigurinë rrugore do t’u kërkohet bashkive të marrin të vendosin nivelet e sigurisë, si sinjalistikë rrugore horizontale/vertikale apo semaforë brenda perimetrit të sigurisë.
“Do vendosim aparatura në mënyrë automatike që vlerësojnë zhurmën dhe përmes kamerave regjistrojmë targën e çdo lloj gjobe që të vendoset do i shkojë qytetarit në telefon”, sqaroi ministri.
Mjetet për transportin e nxënësve do të jenë të mirë-identifikuara. Gjithashtu për sigurinë ushqimore po kryhen kontrolle të shtuara në gjithë vendin.
Ministri tha se për të rritur sigurinë publike, duhen shtuar investimet në teknologji.
“Sa më shumë kamera të ketë në rrugët kryesore të qytetit, në rrugica, aq me pak probleme do të kemi, prandaj kam besim që ne do të bëjmë diferencë në çështjet e sigurisë publike dhe në mënyrë të veçantë, çështjet e sigurisë në shkolla”, deklaroi kreu i Ministrisë së Brendshme.