Siguria në plazhe, nga Shëngjini në Kavajë, bllokohen 16 mjete lundrimi që shkelën rregullat

schedule10:51 - 26 Korrik, 2023

schedule 10:51 - 26 Korrik, 2023

Në kuadër të sigurisë në plazhe është vijon puna për kontrollin e mjeteve të ujit të cilat nuk kanë dokumentacionin përkatës dhe nuk ofrojnë siguri për pushuesit. Sipas policisë mësohet se në të gjithë hapësirën ujore të qarkut Durrës, grupe kontrolli nga Njësia Policore dhe Policia Kufitare vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Si rezultat i këtyre kontrolleve nga Shëngjini në Kavajë janë bllokuar 16 mjete të tjera lundruese. Mes mjeteve të bllokuara janë 11 Jet Ski, 1 gomone dhe 4 skafe. Ndër të tjera policia informon se shkeljet e konstatuara janë lundrim/bregëzim jashtë zonës së përcaktuar, tejkalim i kapacitetit të mbajtjes së personave në bord dhe mungesë dokumentacioni. Ndërkohë krahas bllokimit të mjeteve lundruese, drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative që variojnë nga 10 000 deri në 100 000 lekë të rinj.

“Në Shëngjin, Spille dhe në Durrës, janë bllokuar 11 Jet Ski, 1 gomone dhe 4 skafe. 2 nga drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese u ndëshkuan secili me masat 100 000 lekë të rinj dhe 10 000 lekë të rinj, për lundrim në zonë të ndaluar dhe për mungesë dokumentacioni; 3 drejtues u ndëshkuan me nga 100 000 lekë të rinj, për lundrim dhe bregëzim në zonë të ndaluar; 7 drejtues u ndëshkuan me nga 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni në bord; 3 drejtues u ndëshkuan me nga 20 000 lekë të rinj dhe 1 drejtues u ndëshkua me 80 000 lekë të rinj, për disa shkelje të kryera njëkohësisht”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia Kufitare e Durrës apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!