Në studion e “Byro Politike”, mbrëmjen e sotme, me gazetaren Juli Xhokaxhi, kanë qenë të ftuar ekspertë të jurisprudencës shqiptare.
Në një diskutim, për ngërçin e krijuar për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i krijuar mes institucionit të Presidentit, Parlamentit dhe KED, ata thanë se ky proces i përzgjedhjes së tyre duhet të vazhdojë.
Më tej ata u shprehën se, ndryshimi i Kushtetutës është i domosdoshëm, për të evituar përsëritje të konfliktit mes institucioneve.
Por si do të zgjidhet ngërçi i Gjykatës Kushtetuese? Ja si përgjigjen ata:
Prof. Shefqet Muçi: Procedura po vazhdon dhe është normale, pra duhet të ecë. Konflikti aktual i palëve është për kapriço. Nëse do ketë mirëkuptim mes tyre do të ketë zgjidhje.
Shkëlqim Hajdari, ish-prokuror: Faktorët politikë të koordinuar me faktorët e përgjegjshëm ndërkombëtarë në Shqipëri, ti krijojnë kushtet dhe ti kërkojnë llogari rritjes së ritmit të dy komisioneve, të nivelit të parë dhe të apelimit të vettingut. Këto njerëz që punojnë në vetting, nuk mund të funksionojnë si shtet ishullor. Komisionet e vettingut mund të shkarkojnë njerëz, por jo të bëjnë nga 1 gjyq në jave, por duhet të shtojnë punën e tyre e të përshpejtojnë ritmet. Atyre duhet t’u rritet puna për kalimin sa më shumë në vetting, të prokurorëve dhe gjyqtarëve, në mënyrë që të zhbllokohet sistemi. Gjithashtu organet më të larta në Shqipëri duhet që në mënyrë urgjente të ndryshojnë kushtetutën për të zhbllokuar Gjykatën Kushtetuese.
Jordan Daci, avokat: Lëvizja e Kuvendit për të emëruar 2 kandidatë në vend të 1, dhe për tu shprehur për zonjën Vorpsi, ishte lëvizje e pastër politike, për ti marrë Presidentit të Republikës kompetencën, dhe për të vënë një anëtar të vetin, gjithashtu për të mos emëruar zonjën Xhaferllari. Kjo është një lëvizje e dukshme politike. E vetmja zgjidhje për këtë situatë, është ndryshimi i Kushtetutës, i cili do ti hapte rrugë një gjykate pa këto probleme themelore.
Ledjon Braho, Avokat: Nuk mund të presim ndryshimet kushtetuese në një kuvend të tillë, që të reformojmë Gjykatën Kushtetuese, jemi në një rreth vicioz. Në këtë situatë nuk mundet që të presim ndryshimet kushtetuese. Duke qenë në këto kushte, duhet të vazhdojë emërimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese./abcnews.al