Si u ndoq dhe u vra 37-vjeçari tek mbikalimi i Rinasit, ekzekutorët nuk lanë gëzhoja, dy pistat kryesore të hetimit

schedule11:50 - 4 Prill, 2022

schedule 11:50 - 4 Prill, 2022

TIRANË  – Një vrasje tipike mafioze e mirë menduar ndodhi rreth orës 22:30 pranë mbikalimit të Rinasit. Iljaz Çali, 37-vjeç u ekzekutua teksa lëvizte me një makinë të marrë me qira. Dyshohet se autori i këtij krimi ka ditur çdo lëvizje të viktimës, madje e ka ndjekur atë nga pas. Në afërsi të mbikalimit të Rinasit, është hapur zjarr ndaj makinës tip “Land Rover” me të cilën udhëtonte Iljaz Çali. Pas breshërisë së plumbave makina ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa dyshohet se autori/ët, janë afruar dhe e kanë qëlluar sërish, për tu siguruar se ai ka vdekur dhe puna ishte kryer siç duhet.

Fillimisht është dyshuar për një aksident nga dëshmitarët që kanë qenë në zonë, pasi makina kishte dalë nga rruga, por më pas është kuptuar se kemi të bëjmë me një atentat mafioz.

Ngjarja deri më tani është mbuluar me mister, pasi pavarësisht se është qëlluar disa herë, në vendin e ngjarjes nuk është gjetur ende asnjë gëzhojë, çfarë nënkupton se autori apo autorët janë kujdesur të mos lënë prova.

Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra raporton se janë dy pista kryesore ku janë fokusuar hetimet. E para është biznesi që kishte viktima bashkë me të vëllanë. Bëhet fjalë për një kompani kromi në Bulqizë. Ndërkohë pista e dytë është konfliktet dhe hasmëritë që mund të ketë pasur 37-vjeçari.

Iljaz Çali rezulton të jetë mik i Gjin Nikës nga Fushë Kruja, i vrarë në vitin 2014, administrator i një kompanie kromi./abcnews.al/