Nga Srulik Einhorn, The Jerusalem Post
Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Revolucioni i Izraelit nisi nga Benjamin Netanyahu 30 vite më parë. Ai e shndërroi vendin në një shtet të fortë, elastik dhe të suksesshëm. Pas tërheqjes së Yitzhak Shamirit nga politika për shkak të humbjes nga Yitzhak Rabin në zgjedhjet që u zhvilluan më 23 qershor 1992, Netanyahu u zgjodh në krye të Likud në zgjedhjet paraprake dhe në krye të opozitës.
Shamiri ishte një nga etërit themelues të Izraelit, ndër ata që kanë luftuar për pavarësinë e Izraelit, dhe ishte gjithashtu një themelues i Likud.
Pas humbjes së tij, Shamiri u tërhoq nga politika.
Nga këto 30 vite, Netanyahu shërbeu 15 herë si kryeministër, shtatë herë si lider i opozitës dhe tre herë si ministër i Jashtëm dhe Ministër i Financave.
Ndoshta, figura më e rëndësishme në historinë e Izraelit. Aftësia për të qëndruar për 30 vite në pushtet është e jashtëzakonshme në çdo shkallë, si politike ashtu edhe tregtare.
Kam pasur privilegjin të punoj me Netanyahun. Ai është një njeri i jashtëzakonshëm në aftësitë dhe mençurinë e tij intelektuale. Ju mund të përpiqeni ta imitoni atë por pa sukses. Megjithatë, ne mund të marrim disa mësime kyçe për të qëndruar në pushtet për 30 vite.
Mësimi 1: Duhet të paguani një çmim
Mësimi i parë dhe më i qartë është gatishmëria për të paguar një çmim personal për arritjet kombëtare.
Netanyahu nuk mund të ishte kaq i rëndësishëm dhe i fortë sa është sot pa arritjet që i ka sjellë Izraelit, duke forcuar sigurinë dhe ekonominë e tij, duke luftuar në mënyrë të vazhdueshme dhe pa u lodhur kërcënimin iranian dhe duke provuar se paqja me shtetet arabe mund të arrihet, pa zgjidhur më parë konfliktin me arabët palestinezë.
Netanyahu është ai që bëri që ekonomia e Izraelit të lulëzonte, nga një vend i vogël në marrëdhëniet ndërkombëtare, në një nga ekonomitë më të përparuara dhe më të fuqishme në botë. Netanyahu e ktheu ekonominë izraelite në një ekonomi të tregut të lirë, duke nxitur konkurrencën, duke ulur çmimet dhe tregtinë e lirë duke hequr kontrollet e këmbimit valutor.
Ai pagoi një çmim personal për këtë kur ishte ministër i Financave. Mori vendime të vështira ekonomike dhe kështu u tërhoq duke qenë pjesë e opozitës. Në të njëjtën kohë, Netanyahu e udhëhoqi Izraelin gjatë dekadës më të mirë të sigurisë që Izraeli ka njohur ndonjëherë.
Si kryeministër, ai ndërmorri një politikë agresive kundër armiqve të Izraelit, veçanërisht Iranit. Ai pagoi një çmim personal për marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, falë veprimeve të tij të vendosura, si në arenën politike ashtu edhe në vendimet ushtarake, Irani nuk ka armë bërthamore sot.
Netanyhu e ka kthyer Izraelin në një fuqi botërore në zhvillim në arenën ndërkombëtare. Kur Netanyahu tha se Izraeli do të bëhej një fuqi kibernetike globale, kundërshtarët e tij politikë nuk e besuan.
Sot, Izraeli është një lider në fushën kibernetike dhe konsiderohet si një nga forcat kryesore në botë në teknologjinë e lartë.
Mësimi 2: Inovacioni
E dyta është inovacioni. Netanyahu është i pari që identifikoi tendencat. Nëse ai do të ishte një reklamues, ai do të ishte bërë një miliarder. Netanyahu ishte lideri i parë izraelit që futi në përdorim kanalet televizive dhe që përdori rrjetet sociale. Në vitin 1992, në Izrael kishte vetëm një kanal televiziv; ndërsa, aktualisht ka njëqind media, më shumë gazeta, shumë më tepër radio dhe rrjetet tona sociale po lulëzojnë.
Më e rëndësishmja, ai e di se bota ecën përpara vazhdimisht, dhe ata që nuk ecin përpara mbeten prapa.
Pra, ai vazhdon të lexojë dhe të mendojë për risi të tjera qoftë në politikë apo në markë.
Mësimi 3: Zelli
E treta është zelli. Mediave u pëlqen ta portretizojnë Netanyahun si një hedonist. Realiteti është krejt e kundërta. Në mbrëmje, ai zakonisht ulet në shtëpi dhe lexon libra. Ai nuk ulet dhe nuk shikon televizor, nuk takohet me miqtë dhe nuk bisedon. Ai është gjithmonë i përqendruar, duke pyetur veten në çdo moment se çfarë duhet të bëjë tani.
Dhe ne mes të takimeve, ai lexon gjithnjë e më shumë libra. Ne shpesh filmonim video për fushatën dhe në mes të videos, ai lexonte një libër. Ai lexon gjithçka, të reja dhe të vjetra. Kurioziteti i tij është i pangopur. Ai kërkon të dijë gjithmonë e më shumë.
Mësimi 4: Durimi dhe të menduarit strategjik
E katërta është durimi dhe të menduarit strategjik. Politika krijon një mjedis stresues. Në një moment, ju mund të mendoni se e gjithë bota po shembet mbi ju. Gabimet më të mëdha të politikanëve bëhen kur nxitojnë të marrin vendime, nën presionin mediatik dhe personal.
Netanyahu e di se durimi shpërblehet. E kam parë duke i menaxhuar krizat me durim. Ndonjëherë, njerëzit pyesin se ku u zhduk Netanyahu. Ai nuk është zhdukur. Ai thjesht hesht, duke pritur kohën e duhur për të bërë një lëvizje.
Mësimi 5: Familja
Dhe së fundmi, dhe jo më pak e rëndësishme, vjen familja. Kur Netanyahu u bë për herë të parë Kryeministër i Izraelit, ai kishte vetëm një vit i martuar por për herë të tretë. Kjo është martesa e tij më e gjatë dhe shumë e suksesshme. Nuk është rastësi që ndodhi paralelisht me ngritjen e tij politike.
Ndërsa ne merremi me arritjet dhe me individin, ne mund të priremi të harrojmë fuqinë e një familjeje të fortë, mbështetëse, të një gruaje besnike dhe fëmijëve të dashur. Motori i Netanyahut është familja e tij. Ai është me ta gjatë gjithë kohës, në çdo udhëtim dhe ata e duan shumë sepse misioni i tij nuk është vetëm i tij, por edhe i tyre.
Pa mbështetjen e madhe të familjes së tij, do të ishte e pamundur të mbijetonte 30 vite të vështira. Ka familje politikanësh që presin të mbarojnë punën dhe të kthehen në shtëpi. Jo familja e tij. Ata janë të apasionuar pas kryeministrisë së tij.
Ata e kuptojnë rëndësinë e saj. Ata janë motori i tij i fuqisë.
/abcnews.al