Si ta dalloni aneminë, një nga simptomat e parë është lodhja

schedule08:54 - 20 Mars, 2023

schedule 08:54 - 20 Mars, 2023

Anemia është një gjendje që nënkupton mungesën e qelizave të kuqe të gjakut dhe elementeve të tyre ndërtuese, pra hemoglobinës në gjak. Shkaku kryesor i anemisë është mungesa e hekurit, i cili është funksionalisht i rëndësishëm për organizmin.

Gjithashtu, shkaqet e mungesës së hekurit mund të jenë ushqimi i keq, aktiviteti fizik intensiv, çrregullimet e sistemit tretës ose përdorimi i disa medikamenteve.

Fakti është se shumë njerëz nuk mund të zbulojnë në kohë aneminë, e cila mund të çojë në probleme më serioze shëndetësore. Në të njëjtën kohë, simptomat e anemisë janë shumë të pakëndshme dhe mund të ndërhyjnë në jetën e përditshme.

Anemia vlerësohet të jetë problemi më i zakonshëm shëndetësor në rreth një të tretën e popullsisë së botës. Mungesa e hekurit është veçanërisht karakteristike për gratë gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji, kur është e nevojshme të plotësohet me ushqim. Fëmijët, si dhe personat me sëmundje kronike, janë gjithashtu në rrezik më të madh.

Simptomat kryesore të anemisë janë lodhja, dobësia, lëkura e zbehtë, marrje mendsh, të fikët, nauze, dhimbje koke, gulçim, dhimbje gjoksi, duar dhe këmbë të ftohta, si dhe çrregullime të rrahjeve të zemrës.

Në rast se dyshoni se trupit tuaj i mungon hekuri, duhet të bëni një analizë të plotë të gjakut, e cila përfshin analizat e hekurit, vitaminës B12, acidit folik, ferritinës, transferrinës, hemoglobinës e të tjera.

Përveç suplementeve që janë të domosdoshëm për trajtimin e anemisë, ushqimi sigurisht që do të jetë i një rëndësie vendimtare. Në dietën tuaj duhet të futni ushqime që do të përmbajnë sa më shumë hekur. Menuja juaj duhet të dominohet nga ushqime të tilla si: kërpudhat, frutat e thata, të verdhat e vezëve, peshku, mishi (sidomos pula dhe gjeli i detit). Duke gatuar ushqimin në enë hekuri, mund të rritet sasia e hekurit në ushqim me 20 për qind.

Nëse përdorni enë alumini, plastike ose inoks për përgatitjen e ushqimit, është e mundur që niveli i hekurit në ushqim të ulet ndjeshëm. Gjithashtu, personave me anemi rekomandohet të konsumojnë më shumë kakao sepse përmban 15 mg hekur për 100 gram produkt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!