“Si Pejic s’vijnë më në Superiore”, Gjici: Pero do na ndihmojë, Nexhipi çështje e mbyllur

schedule15:19 - 4 Qershor, 2021

schedule 15:19 - 4 Qershor, 2021

Aventura e Mirel Josës me skuadrën e Kukësit ka zgjatur shumë pak, pasi presidenti i nderit Safet Gjici ka njoftuar mbylljen e marrëveshjes me trajnerin kryeqytetas, si dhe me drejtorin sportiv, Nderim Nexhipi. Kreu i Bashkisë Kukës ka folur edhe për Pero Pejic, i cili pritet të marrë një rol drejtues në klubin verilindor. Në fokus ishin edhe pretendimet e lojtarëve për pagat e padhëna.

“Klubi ka ndërprerë bashkëpunimin me mirëkuptim. Nuk realizoi objektivat që ishin parashikuar në kontratë. I urojmë suksese kudo që të shkojë profesor Josës. E falënderojmë për aq sa punoi. Minimumi duhet të kapeshin kupat e Europës. Kështu që u zgjidh marrëveshja. Ka qenë pjesë e kontratës. Sa i takon Nexhipit, ai ka dërguar një mesazh dorëheqjeje para pak kohësh. Edhe Nexhipi besoj se është çështje e mbyllur”.

Ndërkohë Pero Pejiç rikthehet në Shqipëri për të kontribuar në ish-skuadrën e tij Kukësin, ku sipas Gjicit pritet vetëm vendimi i klubit se çfarë detyre do të marrë në klub. Gjici tha se ai do të jetë pjesë e stafit.

“Pero Pejic ju e dini që ka qenë një lojtar i rëndësishëm i Kukësit. Është një nga kroatët që kemi pasur bashkëpunim të mirë. Kemi biseduar për të gjetur disa lojtarë cilësorë. Madje i kam thënë me shaka që duam lojtar si ai dhe më tha se si Pejic nuk vijnë më në Shqipëri. Sigurisht ma tha me shaka. Asnjëherë nuk është e pamundur.

Besoj se do na ndihmojë të gjejmë lojtarë cilësorë. Do bëjmë disa blerje të rëndësishme, që të jemi konkurrues. Për pak muaj kthehemi në fushën tonë dhe kërkohet një staf teknik cilësor, që të bëjë diferencën, sikurse edhe lojtar. Kampionati çdo vit bëhet më i fortë, ka konkurrencë, të gjitha ekipet forcohen.

Me një trajner të mirë, që do të bëjë ekipin, them se Kukësi do të marrë rezultate dhe të realizojë objektivin titull kampionat. Pejic do të jetë pjesë e stafit, pozicionin e vendos klubi. Pero uroj të bëjë punë të mirë si drejtues. Nuk kemi folur për marrëdhënie kontraktuale, ato i ka klube. Kemi pirë një kafe dhe i kam kërkuar që duam lojtarë cilësore. Ata duan pagesa dhe klubi do i marrë masa”.

Problemet me pagat? E para e punës klubi ka kontrata atje dhe ata që nuk kanë realizuar objektivat, kanë penalizime në kontrata. Edhe gjatë sezonit mund të kenë pasur penalizime, siç janë gjoba. Ikën Josa, Nexhipi prej objektivave. Nuk di se çfarë do të bëjë klubi edhe me disa futbollistë, që nuk kanë dhënë asnjë kontribut.

Klubi po kërkon staf profesionist, duke nisur me Peron e të tjerë. Nuk e di kush do jetë trajneri, klubi po flet me disa. Kemi disa lojtarë cilësorë, si Ibraimi, Taipi, Gashi e Demiri, që nuk lëvizin, janë me kontrata. Mund të duhen 4-5 lojtarë cilësorë që të synohet titulli. Pastaj varet edhe nga trajneri, që duhet profesionist bashkë me stafin”. /abcnews.al