Si ndodhi atentati ndaj Mariglen Hakës në Nikël, autori po lëvizte në këmbë

schedule15:20 - 8 Qershor, 2022

schedule 15:20 - 8 Qershor, 2022

Autori i cili plagosi me armë zjarri mesditën e sotme  anëtarin e bandës së Niklës, Mariglen  Haka po lëvizte në këmbë.

Autori i cili nuk është identifikuar ende e qëlloi Hakën me armë zjarri me nofull.

Policia njofton se Haka është transportuar për në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë mjekësore dhe për momentin ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë  së Rrethit Gjyqësor Krujë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin e kapjen e autorit.

Në shtator të 2019-ës, Haka i shpëtoi një atentati me armë në derë të shtëpisë, ku mbeti e  vrarë halla e tij, Shpresa Basha.

KUSH ËSHTË MARIGLEN HAKA

I njohur ndryshe dhe si Marklen Haka i lindur me 04.04.1991 është një personazh i njohur për policinë.

Si një prej të “fortëve” të Fushë – Krujës 28 vjeçari u arrestua në Shtator vitin 2018 së bashku me disa persona të tjerë gjatë një aksioni të RENEA-s në Nikël të Fushë-Krujës. Ata u vunë në pranga për posedim pa leje të armëve dhe municioneve luftarake dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Bashkë me të u arrestua edhe Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, pikërisht personi që sonte transportoi në Spitalin e Traumës hallën dhe nipin që ranë pre e atentatit të armatosur.

/abcnews.al/