Si ndikoi virusi në sy? Mjeket në “Spitalin Amerikan”: Kemi pasur fluks të shtuar, neglizhenca rëndoi patologjitë

schedule08:43 - 1 Prill, 2022

schedule 08:43 - 1 Prill, 2022

Dr. Teuta Haveri dhe Dr. Mimoza Meço, kirurget oftalmologe pranë Klinikës së Okulistikës në Spitalin Amerikan folën për patologjitë e syve në periudhën gjatë dhe pas Covid-19. Të ftuara në “Abc-ja e mëngjesit”, doktoreshat shpjeguan se ka pasur një fluks të shtuar të pacientëve që kanë probleme me sytë.

“Si sëmundjet e tjera, dhe virusi jep një prekje multiorganore por mund të prekë dhe sytë. Duke filluar nga infeksionet e lëkurës, kornesë, të indeve përreth syrit dhe deri në prekje më të thella si neuritet, prekja e nervit optik apo patologjitë që kanë ekzistuar në sy si forcimi apo shkas i evolucionit të perdes së syrit.

Avancimi mund të jenë nxitur dhe nga ekzagjerimi i kortizonëve. Në këtë periudhë po përballemi me një fluks të shtuar të pacientëve që paraqiten për kontroll të sëmundjeve që kanë ekzistuar më parë në sy dhe prej covid janë neglizhuar kontrollet. Ka skuqje dhe lotim të syrit, tipike për infeksione të syrit.”, tha Dr. Teuta.

Dr. Mimoza shpjegoi se Covid-19 nuk mund të konsiderohet si shkaktari kryesor që dëmton syrin. Mjekja shtoi se rastet janë rritur më shumë për shkak të neglizhencës së vizitave që duheshin ndjekur gjatë periudhës së pandemisë.

Po përballemi me një fluks të shtuar të rasteve kirurgjikale. Do të thosha që koha bën të veten dhe fakti që shumë pacientë për arsye të frikës për të mos dalë nga shtëpia apo qëndrimi i zgjatur para ekranit, i kanë neglizhuar këto vizita të detyrueshme.

Vihet re një pacient që ka pasur katarakt, vjen në një stad më të avancuar, një që ka pasur retinopati diabetike vjen në një stad më të avancuar. Kataraktet dhe pacientët me retinopati diabetike i përkasin grupmoshës mbi 50 vjeç por kemi dhe raste të diabetikëve në mosha të reja.”, u shpreh Dr. Mimoza.

Dr. Teuta tha se shumë pacientë janë prekur nga katarakta dhe një shkak mund të jetë dhe marrja e kortizonikëve. “Grupi që u godit më shumë nga pandemia ishin ata kronikë. Mosmarrja në kohë e shërbimit bëri që të rëndoheshin patologjitë. Një diabetik ka nevojë për disa trajtime përsëritëse si injeksionet në sy.

Në momentin që ndërpritet trajtimi, kthehemi pas dhe kjo çon në rritje të fluksit. Nëse flasim për rritje reale të fluksit do të thosha shpeshtësinë e kataraktës. Nëse perdja e syrit është e shpeshtë në moshat mbi 60 vjeç, kur kalojnë covidin, dhe për shkak të terapisë me kortizonikë, ka pasur një rritje të kataraktës në grupe që nuk është e zakonshme si 40-50 vjeç.”, tha Dr. Teuta. /abcnews.al