Dy shqiptarët të cilët janë dëbuar nga Serbia me argumentin se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare kanë zbardhur detaje nga ndalimi në Beograd, teksa po merrnin pjesë në seminarin e organizuar nga fondacioni Erste, i cili rezulton të ketë disa bashkëpunime edhe me fondacionin Shoqëria e Hapur.
Për ABC News, Gazmir Memaj, tha se janë ndaluar në hollin e hotelit ku po qëndronin për tu shqëruar me tej në komisariat, nga ku mohon që ti jete komunikuar edhe arsyeja e ndalimit.
“Pas rreth 20 minuta pritje të tensionuar në holl, 2 persona pa uniformë, na kërkuan të shkonim në komisariat. Tek makina, e cila ishte makinë private dhe jo policie, u shoqëruam unë dhe kolegia e Help Shqipëri, Edlira Lilaj. Rruga për në komisariat më ngjalli vërtetë frikë, pasi ishim të shoqëruar nga dy persona pa uniformë, në një makinë private që po më nxirrte nga qyteti, dhe meqë nuk e dija as rrugën as vendin, kisha ndjesinë që po më kanosej jeta.
Kur arrita të dalloj godinën e komisariatit, u qetësova dhe mendova se tani si do që të shkonte puna, isha në një institucion shtetëror. Edhe në komisariat nuk vura re uniforma. Nuk është ofruar përkthim në gjuhën shqipe. Me efektivët komunikova në anglisht pasi u thashë që nuk dija serbisht. Megjithate, dokumenti qe tregon ndalimin dhe mos lejimin e hyrjes ne territorin serb per 1 vit, m’u dha ta firmosja ne serbisht.”
Hapi i rradhës thonë se do të jetë apelimi pranë ambasadës së Serbisë në Shqipëri.
“Arsyen e ndalimit nuk na e thanë në asnjë moment. Në shkresën që na dhanë për t’u firmosur ( në serbisht) thuhet se jemi rrezik për sigurinë e vendit. Përmendet një nen i një ligji te shkresa, por në të vërtetë nuk na kanë dhënë arsye ose baza mbi ndalimin. Hapi i rradhës është apelimi pranë ambasadës së Serbisë në Shqipëri.”
Ndërkohë, mbi 300 organizata ndërkombëtare kanë dënuar veprimin e Serbisë. Sipas tyre, këto akte, sinjalizojnë armiqësinë në rritje të qeverisë serbe ndaj aktivistëve, të cilat nxiten edhe përshkak të protestave në të cilat është përfshirë Beogradi.Ato u bëjnë thirrje autoriteteve serbe që të sigurojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të njëriut./abcnews.al