Nga Gauri Khandekar & Miguel Otero-Iglesias, Politico.eu
Më në fund, duket se udhëheqësit e botës, po e pranojnë idenë se asnjë vend nuk do të jetë i sigurt nga Covid-19 derisa të vaksinohet shumica e popullsisë së botës. Por deklaratat e tyre në mbështetje të kësaj qasjeje, do të jenë të pakuptimta nëse ata vazhdojnë të lejojnë ndërhyrjen e interesave të biznesit dhe gjeopolitikës në skemën enjë shpërndarjeje globale të vaksinave anti-Covid.
Prodhimi i vaksinave më efektive në botë kundër koronavirusit të ri, është përqendruar në duart e disa kompanive të mëdha farmaceutike, me vendet e pasura që janë të parat në radhë për të marrë vaksinat e kushtueshme, duke blerë deri në 4 herë më shumë vaksina sesa sasia që u nevojitet për të mbrojtur popullsinë e tyre.
Ndërkohë, me gjithë premtimet e reja nga G7-a javën e kaluar, vetëm rreth 20 për qind e vendeve në Hemisferën Jugore mund të presin që të marrin vaksina nga nisma COVAX e Organizatës Botërore të Shëndetësisë deri në fund të këtij viti në rastin më të mirë.
Pra ky afat është tepër i vonuar, dhe numri i vaksinave që do të marrin këto vende është shumë i ulët për të arritur imunitetin e tufës. Ndërkohë, ka pasoja negative që shkojnë përtej jugut të botës, pasi vonesat rrisin gjasat e mutacioneve të reja edhe më vdekjeprurëse, të cilat mund të kërkojnë zhvillimin e vaksinave të reja.
Nëse duam vërtet ta fitojmë luftën kundër Covid-19, na duhet një zgjidhje më efektive.
India dhe Afrika e Jugut, kanë propozuar tashmë një qasje të re në Organizatën Botërore të Tregtisë:të hiqet dorë nga patentat e vaksinave kundër Covid-19, në mënyrë që këto vende të kenë mundësi të mobilizojnë industritë e tyre farmaceutike, të njohura për kapacitetet e mëdha, për të prodhuar akoma më shumë vaksina, dhe për t’i shpërndarë më shpejt ato.
Kauza e tyre është bindëse. Në mesin e një pandemie globale, një dorëheqje e përkohshme nga patentat ka shumë kuptim. India prodhon aktualisht 60 për qind të vaksinave në botë,
dhe kompania indiane Instituti Serum i Indisë (SII), po prodhon aktualisht vaksinën e AstraZeneca-Oxford (e njohur në Indi si Covishield) me një normë prej 70-80 milion doza në muaj.
Zinxhirët prodhues të kompanive farmaceutike indiane janë të gjëra dhe më të adaptueshme sesa industritë e vjetra në Perëndim, të cilat janë ndërtuar sipas mënyrave të tyre. Gjithsesi, vendet e pasura, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ku u zhvilluan këto vaksina, e kanë hedhur poshtë këtë nismë.
Ata duan që t’i mbrojnë industritë e tyre farmaceutike nga konkurrenca e tregjeve në zhvillim, përfshirë ato në Indi, Kinë dhe Afrikën e Jugut. Edhe argumentet e tyre janë të arsyeshme:Nëse kompanitë farmaceutike detyrohen që të dorëzojnë falas pronën e tyre intelektuale, atyre do t’u mungojnë stimujt për të vazhduar kërkimet të mëtejshme, gjë që potencialisht do të pengonte zhvillimin e vaksinave të reja që janë efektive kundër shfaqjes së varianteve të reja të Covid-19.
Ndërkohë në lojë janë edhe konsideratat gjeopolitike – në të dyja anët -teksa vendet po nguten për të ecur përpara në një garë në zhvillim të “diplomacisë së vaksinave”.Vetëm disa ditë pasi filloi vaksinimin e popullsisë së saj, India filloi t’u dhuronte miliona vaksina vendeve të tjera.
Gjithashtu, Nju Dehli i ka premtuar më shumë se 1 miliard vaksina këtë vit vendeve të ndryshme në kuadër të nismës COVAX. Ndërkohë Kina dhe Rusia, kanë shitur ose dhuruar vaksinat e tyre të prodhuara në vend, sidomos në Afrikë.
Duke njohur zbehjen e ndikimit të Perëndimit, presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje që 3-5 për qind e vaksinave evropiane dhe amerikane të dërgohen në vendet në zhvillim. Pak kohë më vonë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi se BE do të dyfishojë kontributin e saj në skemën e COVAX, pra nga 500 milion në 1 miliard euro, ndërsa premtoi edhe një tjetër ndihmë humanitare prej 100 milion eurosh për shpërndarjen e vaksinave në Afrikë.
Por ndërsa të gjithë duan që të shihen duke luajtur rolin e “Shpëtimtarit”, nuk ka asnjë bashkëpunim midis lojtarëve kryesorë. Kjo do të thotë që aktualisht gjendemi të bllokuar
në një ngërç:Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja hezitojnë të heqin dorë nga patentat e vaksinave, ndërsa India dhe Afrika e Jugut,nuk janë të gatshme ose janë të paafta t’i paguajnë kompanitë farmaceutike për të marrë licencat e nevojshme për të prodhuar vetë vaksinat anti-Covid.
Prandaj, zgjidhja duhet të gjendet diku tjetër. Nëse problemi është se licencat janë shumë të shtrenjta, apo që Afrika e Jugut dhe India nuk janë të gatshme të paguajnë shuma kaq të mëdha, atëherë BE dhe SHBA duhet të ndihmojnë në subvencionimin e këtyre blerjeve. Tek e fundit, është në interesin e tyre që ta bëjnë këtë gjë.
Këtu është e rëndësishme të theksohet se zgjidhja duhet që të negociohet. Dhënia e licencave me një akt normativ qeveritar, siç kanë propozuar disa, do të shkaktonte të njëjtat probleme si heqja dorë nga patenta -edhe pse ajo mund të përdoret si një mekanizëm presioni për të ulur çmimin e licencës.
Opsioni më i mirë është të zgjidhen blerjet sipas vlerës së të drejtës pronësisë, ose ndryshe marrja e licencave të pronësisë intelektuale, siç sugjerohet nga Elias Mossialos, profesor i shëndetit publik në Shkollën Ekonomike të Londrës.
Kjo strategji do të kënaqte të gjithë aktorët. Kompanitë farmaceutike, do të kompensoheshin në mënyrë të drejtë. BE dhe SHBA mund të mburreshin me meritat për financimin e kësaj përpjekjeje. Ndërsa India dhe Afrika e Jugut (dhe shumë të tjerë), do të jenë në gjendje të prodhojnë vaksinat që na duhen.
Duke pasur parasysh rreziqet që janë në lojë, një marrëveshje e këtij lloji, mund të arrihet vetëm në nivelin më të lartë politik. G20, nën presidencën italiane të qeverisë së re të Mario Draghi, mund të jetë platforma më e përshtatshme për të thirrur një samit të jashtëzakonshëm të palëve të përfshira.
Nëse synimi është që t’i japim shpejt fund pandemisë, do të ishte marrëzi që të mos shfrytëzohet sa më shpejt të jetë e mundur kapaciteti bosh i prodhimit që ekziston aktualisht në Indi dhe gjetkë. Sa më shpejt ta arrijmë imunitetin global të tufës, aq më mirë do të jetë për të gjithë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

