Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Përgjigja e Perëndimit e udhëhequr nga SHBA-ja ndaj agresionit rus në Ukrainë ka qenë mbresëlënëse dhe në kundërshtim me atë që pothuajse me siguri ishin pritshmëritë e presidentit rus Vladimir Putin.
Por kjo përgjigje është rritur shumë shpejt përtej konkurrencës së menjëhershme ushtarake në Ukrainë në një konflikt më të gjerë dhe më afatgjatë me Rusinë. Diçka e tillë karakterizon veçanërisht objektivin e deklaruar të SHBA-së jo vetëm për t’i dhënë fund agresionit në Ukrainë, por në përgjithësi për të ” dobësuar ” Rusinë.
Kjo deklaratë me sa duket pasqyron një vendim të qëllimshëm të politikës së jashtme dhe nuk është thjesht një gafë si komenti i Presidentit Joe Biden se Putini nuk mund të qëndrojë më në pushtet.
Synimi për dobësimin e Rusisë ka dy probleme të mëdha.
Ajo që Perëndimi po bën nuk është vetëm një përgjigje ndaj luftës në Ukrainë, por më tepër pasqyron një kërcënim më të gjerë ndaj Rusisë. Deklarata gjithashtu e bën më të vështirë arritjen e ndonjë zgjidhjeje për t’i dhënë fund luftës aktuale, duke reduktuar në mënyrë të kuptueshme besimin e Rusisë se do të hiqeshin sanksionet perëndimore, pavarësisht se çfarë bën në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara në fakt po shpallin një Luftë të re të Ftohtë me Rusinë. Të theksosh këtë nuk do të thotë të ndash fajin midis Lindjes dhe Perëndimit. Përgjegjësia kryesore në çështjet ndërkombëtare në vitin 2022 i takon Putinit, ashtu siç është e përshtatshme të fajësosh për veprimet në fund të viteve 1940 Joseph Stalin dhe BRSS, raporton abcnews.al.
Lufta e Ftohtë po vazhdon. Për të ardhmen e afërt, përfundimi i luftës në Ukrainë duhet të jetë prioritet. Edhe kjo detyrë do të jetë e vështirë. Do të jetë e vështirë të gjendet një formulë që plotëson kërkesat minimale të secilës palë të përfshirë. Dështimi për të gjetur një formulë të tillë, përveç zgjatjes së vuajtjeve të popullit ukrainas, do të rrënjoste më tej një Luftë të re të Ftohtë me Rusinë.
Kjo do të ishte e vërtetë nëse vazhdon niveli aktual i luftës në Ukrainë ose nëse lufta kalon në një konflikt të ngrirë pa arritur asnjë mirëkuptim në lidhje me territorin që Rusia ka tashmë në kontroll. Disa mund të kënaqen duke zhvilluar një konflikt të tillë, ashtu siç ndodhi me Luftën e parë të Ftohtë.
Ky ishte një dallim që mund të vihet midis Ronald Reagan, i cili parashikoi një fund të Luftës së Parë të Ftohtë dhe u përpoq që lufta të merrte fund, dhe disa në administratën e tij që dukeshin të kënaqur që lufta mund të zgjaste përgjithmonë.
Një Luftë e re e Ftohtë me Rusinë do të ishte në kundërshtim me interesat e SHBA-së dhe me sigurinë ndërkombëtare në përgjithësi.
Diçka e tillë do të kishte implikime të pafavorshme në lidhje me buxhetet ushtarake, rrezikun e vazhdueshëm të përshkallëzimit të krizave dhe ndër të tjera pengesat për ndërmarrjen e veprimeve për problemet globale me interes të përbashkët.
Një këndvështrim optimist i problemeve aktuale është se Rusia e sotme, ndonjëherë e nënçmuar ka gjithashtu dobësi të shumta të brendshme, disa prej të cilave paralelisht me dobësitë e BRSS. Por Lufta e Ftohtë origjinale pati një fund të qartë që nuk mund dhe nuk do të përsëritet me një Luftë të re të Ftohtë.
Versioni origjinal përfundoi me rënien e ndikimit të ideologjisë marksiste-leniniste, kolapsit të shpejtë të sundimit komunist në Europën Lindore dhe më në fund me rënien e vetë BRSS, me atë kapitull të fundit të shkruar nga Presidenti Boris Yeltsin i Federatës Ruse.
Tani është i aleati i dikurshëm i Jelcinit dhe presidenti aktual i Federatës Ruse, Vladimir Putin, ai që është problemi kryesor. Çdo zëvendësim i Putinit, edhe në skenarët më optimistë të ndryshimit të regjimit, ka të ngjarë të jetë punë e shërbimeve ruse të sigurisë dhe/ose ushtrisë dhe mund të rezultojë në një regjim jo më të mirë dhe ndoshta edhe më të keq se Putini.
Stalini ishte një sundimtar brutal dhe absolut në krahasim me çdo person tjetër, por vdekja e tij në 1953 nuk i dha fund Luftës së Parë të Ftohtë. Kennan e dalloi qartë regjimin sovjetik me të cilin ishte i shqetësuar nga “udhëheqësit individualë agresivë si Napoleoni dhe Hitleri”.
Ai vuri në dukje disa avantazhe dhe disavantazhe të armikut por ai shkroi se liderët agresivë individualë ishin më të vështirë për t’iu kundërvënë sesa regjimi sovjetik për aq sa udhëheqës të tillë priren të jenë “më pak të ndjeshëm ndaj forcës së kundërt”.
Për aq kohë sa kjo analizë është e vlefshme dhe e zbatueshme për një Putin agresiv, ajo ul bazën e optimizmit rreth asaj se çfarë do të bëjë aplikimi i forcës në Ukrainë ose për politikat e Putinit atje ose për sundimin e tij në përgjithësi.
Një tjetër ndryshim nga Lufta e Ftohtë e mëparshme, që paralajmëron në mënyrë të pafavorshme për perspektivat perëndimore, ka të bëjë me fuqinë që të paktën deri këtë vit ishte përmendur më shpesh si armiku kryesor në një Luftë të Ftohtë të re: Kinën, raporton abcnews.al.
Gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Ftohtë SHBA-Bashkim Sovjetik, Kina ishte një shtet i varfër komunist, marrëdhënia e së cilës me BRSS u bë mjaft e tensionuar sa për të shkaktuar një luftë kufitare midis të dyve. Tani Kina është një superfuqi ekonomike dhe gjithnjë e më shumë ushtarake që po i jep rëndësi strategjike Rusisë së Putinit.
Kennan identifikoi një tjetër përbërës kritik që Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi mbizotëruan në Luftën e Ftohtë, ishte fakti se sa mirë Shtetet e Bashkuara arritën të menaxhonin punët e tyre të brendshme. Çdo “ekspozitë e pavendosmërisë, përçarjes dhe shpërbërjes së brendshme brenda këtij vendi” do të ishte një nxitje për kundërshtarin komunist.
Kennan po shkruante për një epokë të bashkëpunimit jashtëzakonisht efektiv dypartiak në politikën e jashtme të SHBA-së, e cila kishte nënvizuar fitoren në Luftën e Dytë Botërore dhe krijimin e Kombeve të Bashkuara dhe po vazhdonte në vitet e para të Luftës së Ftohtë.
Zëri i shquar i politikës së jashtme në Partinë Republikane, Senatori Arthur Vandenberg, bashkëpunoi me administratën Truman për të ndihmuar në shtypjen e kryengritjeve komuniste në Greqi dhe Turqi, krijimin e Planit Marshall dhe krijimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, raporton abcnews.al.
Kennan kishte arsye të mira për të qenë optimist në atë kohë për aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të treguar cilësitë që ai i konsideronte thelbësore për të fituar garën globale me BRSS. Kontrasti sot vështirë se mund të ishte më i madh. Partizanët në Shtetet e Bashkuara kanë anashkaluar aspektet kryesore të politikës së jashtme po aq sa kanë anashkaluar shumë të tjera.
Vetë demokracia amerikane është në prag të dështimit. Shtetet e Bashkuara prej katër vitesh tashmë kanë treguar një mospëlqim kundrejt Putinit.
Një Luftë e re e Ftohtë me Rusinë nuk premton sa e mëparshmja. Pasi mund të mos përfundojë kurrë.
/abcnews.al