Si mund të arrihet kompromisi me Vladimir Putinin

schedule11:24 - 24 Maj, 2022

schedule 11:24 - 24 Maj, 2022

Nga Vincenzo Scotti “Formiche.net

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Lajmet e fundit nga frontit i luftës në Ukrainë, ngrenë pikëpyetje të reja në lidhje me aftësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Rusisë për të “menaxhuar” jo vetëm luftën, por edhe paqen hipotetike. Kur ra Muri i Berlinit në nëntorin e vitit 1989, Putin ishte ende një oficer i ri i KGB-së.

Dhjetë vjet më vonë, në dhjetor të vitit 1999, Boris Yeltsin e shpalli atë si pasardhësin e tij. Në vitin e tij të 20-të të presidencës, krahasuar me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Putin kishte arritur të ndërtonte një ndikim të ri politik të Rusisë në Evropë dhe në botë.

Ai pati një mbështetje nga mediat ndërkombëtare. Ato kishin parë një ndryshim pozitiv në Kremlin, por tek ato kishte gjithmonë një përzierje të admirimit dhe mosbesimit. Në politikën e Putinit, shumë vende perëndimore panë një fobi dhe paranojë nga “rrethimi” më i vogël sesa në të kaluarën sovjetike, prandaj konsideruan mundësinë e afrimit të madh me Moskën.

Nga ana tjetër, vendet evropiano-ballkanike qëndruan për 45 vjet nën sundimin e Bashkimit Sovjetik. Ato ishin përpjekur vazhdimisht që të rebeloheshin kundër qeverive kukull të Moskës, por ishin shtypur nga tanket ruse, teksa Perëndimi për shkak të kufizimeve të përcaktuara nga Konferenca e Jaltës, nuk mundi t’u vinte në ndihmë.

Por me rënien e Murit të Berlinit, këto vende kërkuan të hynin menjëherë në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke u bërë kështu një pengesë kundër çdo lloj mundësie nënshtrimi ndaj Putinit, sidomos kur ai u përpoq të zgjeronte kontrollin e tij mbi territoret e vendeve në kufi me Rusinë.

Putini u bë president rreth 10 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, një periudhë e vështirë dhe konfuze e historisë ruse, kur u vu re mungesa absolute e një klase sunduese të aftë për të menaxhuar një tranzicion drejt një sistemi demokratik, që nuk është njohur kurrë në Rusinë e madhe.

Kjo mungesë, u shoqërua me një dobësi në lidershipin amerikan dhe politikës perëndimore. Shkaqet e shumë të këqijave që shohim sot, burojnë nga ato dobësi të cilave u mungoi një vizion strategjik për menaxhimin e kalimit nga “Perdja e Hekurt” tek një globalizim demokratik.

Në korrikun e vitit 1992, në Mynih të Gjermanisë u mbajt samiti i G-7, pra gati 3 vjet pas rënies së komunizmit. Në atë mbledhje doli qartë në pah kriza e kapacitetit krijues dhe strategjik të politikës evropiane. Unë e pashë këtë personalisht në seancat e ministrave të jashtëm, që synonin t’i jepnin përgjigje pyetjeve për të ardhmen e rendit evropian.

Ne u ngritëm nga tryeza e fundit e G-7, ku ishin të pranishëm krerët e shteteve dhe ministrat e jashtëm dhe ata të ekonomisë, pa një ide strategjike mbi strukturën e Bashkimit të ri Evropian të krijuar në Mastriht. Italianët shin të shqetësuar për krizën dhe politikën tonë monetare.

Më kujtohet se në darkën që u mbajt në fund të samitit, presidenti rus Boris Yelstin nuk u ul pranë krerëve të shtetit, por pranë meje. Ai më kërkoi që t’i raportoja kryeministrit tim se nuk kishte ardhur në Mynih për të dhënë një provim tjetër mbi demokracinë dhe kapitalizmin, nga disa studentë të rinj të universiteteve të mëdha amerikane.

Ai nuk do të merrte pjesë në takimin e planifikuar për të nesërmen me krerët e shteteve të G-7. Ai priste të mësonte se çfarë ekuilibri paqeje dhe bashkëpunimi donte t’i propozonte G-7 Federatës së re Ruse. Në vitin 1980, bota perëndimore ishte e bindur mbi rënien e Bashkimit Sovjetik.

Pas 7 vitesh, Yelstin i dha Putinit dritën jeshile për të riorganizuar institucionet ruse, dhe për të vendosur rregull në jetën e Rusisë së madhe. Siç e përmenda në fillim, edhe pse me shumë rezerva ndaj një njeriu të KGB-së, liderët perëndimore treguan njëfarë gatishmërie për të pasur një marrëdhënie të afërt me Putinin.

Madje, në disa momente, pjesëmarrja e Putinit në samitin e G-7 u konsiderua e nevojshme. Pas krizës së 2008, Rusia u njoh si një fuqi e madhe. Jo aq për madhësinë e ekonomisë apo burimeve natyrore sesa për peshën politike dhe fuqinë bërthamore, por edhe për ndikimin e saj në vendet përreth.

Por me kalimin e viteve, tensionet për shkak të pretendimeve territoriale të Rusisë ndaj vendeve që ishin bërë të pavarura, dhuna ndaj opozitës ruse dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në vend, e ndryshuan situatën. Me kalimin e viteve, ndërthurja e interesave ekonomike midis Rusisë dhe vendeve perëndimore është bërë më komplekse.

Janë rritur sasitë e furnizimeve me lëndë të para dhe burime energjie nga Rusia. Këto marrëdhënie komplekse kanë bërë që sanksionet kundër Rusisë të jenë pak efektive, edhe sepse pasojat në vendet perëndimore janë shumë të mëdha.

Kësisoj në opinionin publik është krijuar një bindje, që nëse nga njëra Putin mund të vazhdojë ta konsiderojë veten aq të fuqishëm sa të ketë të drejtën t’i imponojë vendeve fqinje kufizime në autonominë e tyre (në fakt, reagimet nga vendet perëndimore nuk janë aq të forta sa ta detyrojnë Rusinë të ri-mendojë vendimet e saj), nga ana tjetër, vendet e Evropës e kanë kuptuar se Putin nuk do ta çojë kurrë nivelin e konfrontimit përtej një kufiri që mund të vërë në rrezik balancat politike dhe ekonomike që ekzistojnë midis Rusisë dhe Perëndimit.

Por një analizë më e artikuluar, tregon se nëse nuk do të kishte ekzistuar ndërgjegjësimi i kundërt të cilit iu referuam, asnjëra nga të dyja palët nuk do ta kishte zgjeruar me aq lehtësi sasinë e shkëmbimeve tregtare, si për shembull lëndët e para dhe burimet e energjisë në sasi të rrezikshme, duka vendosur në duart e Putinit sigurinë dhe aktivitetet e saj prodhuese. Dhe e vazhdoi këtë qasje edhe kur nisën të zbatoheshin sanksionet e para që prekën edhe naftën dhe gazin rus.

Kur Putini pushtoi Ukrainën në mënyrë cinike, një akt kriminal kundër popullatës së pambrojtur, u pranua se kishte ndryshuar diçka. Edhe pse në ditët e para të luftës, Putini mund të mendonte ende për një luftë të shkurtër për t’u ulur shpejt në një tryezë bisedimesh nga pozita të forta.

Shërbimet sekrete të Putinit nuk duket se kanë qenë në gjendje ta bindin atë se në këtë luftë do të ishte më e lehtë të zgjidhej konflikti para se të shpërthente, sesa pas nisjes së tij.

Në këtë pikë, Putini është bërë shumë i rrezikshëm për të tjerët por edhe për veten e tij.

Shumë njerëz po flasin tani se Cari rus vuan nga një sëmundje e rëndë. Prej disa vitesh, kur i erdhi një mbështetje e madhe nga disa vende të mëdha evropiane për shkak të ndërthurjes së interesave ekonomike, Putin e ka humbur të gjithë realizmin politik dhe ushtarak, dhe ka ndezur fitilin e një konflikti që po shqetëson jo vetëm Perëndimin, por edhe vende si Kina, e cila nuk ka interes të prishë plotësisht sistemin e tregtisë dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Dhe jo vetëm kaq, pasi kjo luftë po ndryshon sjelljet dhe politikat mbrojtëse të vendeve historikisht neutrale, dhe me marrëdhënie të mira me Moskën: Finlandës dhe Suedisë. Është pretenduar shpesh se kjo është një luftë mbi burimet e Ukrainës. Nëse kjo është e vërtetë, nuk do të ketë zgjidhje pa një marrëveshje mbi sigurinë e tregut të mallrave.

Mbetet të shpresojmë që disa nga shtetet, dhe në përgjithësi politika dhe diplomacia, të jenë duke punuar rreth sigurisë së tregtisë së lëndëve të para dhe burimeve të energjisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që konflikti ishte ende në vazhdim, Shtetet e Bashkuara u kujdesën që të propozonin një sistem stabiliteti dhe garancish monetare e financiare që të lejonin një fazë të re të zhvillimit botëror.

Sigurisht, ndërprerja e luftimeve është një çështje urgjente dhe prioritare. Por pa një marrëveshje për sistemin e garancive mbi tregtimin e lëndëve të para dhe të energjisë, nuk do të shuhen vatrat kryesore të luftës, dhe në fuqi do të hyjë një sistem sanksionesh parandaluese.

Kjo lloj marrëveshjeje buron nga një marrëveshje paraprake midis vendeve perëndimore për një politikë të përbashkët, dhe për t’i dhënë forcë një propozimi negociues në nivel global. Ka ardhur koha për një veprim politik të drejtpërdrejtë, që di të shohë humnerën që është hapur dhe që nuk harxhon kohën me taktikat diplomatike apo me dialogun midis pacifistëve dhe ndërhyrësve të frikësuar.

Shënim:Vincenzo Scotti, Ministër i Jashtëm dhe Brendshëm i Italisë gjatë viteve 1990-1992.