“Si Kukësi po e pengon Ethemin”, histori me kontrata dhe shkresa false

schedule14:38 - 6 Gusht, 2020

schedule 14:38 - 6 Gusht, 2020

Valon Ethemi bëhet çështje. Anësori, i cili për tre vite luajti me Kukësin dhe është pranë firmës me Zaglebie Lubin, ndodhet në Poloni në pritje të zyrtarizimit te skuadra e re. Gjithsesi ende nuk është mbyllur asgjë dhe për këtë pengesë po bëhet klubi i Kukësit.

Ethemi prej kohësh e ka njoftuar klubin verilindor që do të largohet në fund të sezonit, ndërkohë që nga ana tjetër drejtuesit e Kukësit pretendonin se kishin një kontratë të re, që ishte zgjatur edhe për tre vitet e ardhshme. Kështu thuhet në artikullin e “Infosport.mk”, që më tej shton se Ethemi as që ishte në dijeni të saj.

Ajo kontratë është dorëzuar në FSHF dhe drejtuesit e Kukësit kanë tentuar ta bëjnë të vlefshme, sikurse shkruan burimi i mësipërm. Ethemi nga ana tjetër ka njoftuar klubin dhe federatën, që nuk e do rinovimin e marrëveshjes. Portali në fjalë thekson se më pas te Kukësi kanë ndryshuar qëndrim dhe janë munduar ta bindin Ethemin për të nënshkruar kontratën e re.

Bisedimet nuk kanë shkuar si duhet, për shkak se oferta e bërë ishte e ulwt, në krahasim me pesë propozime të tjera nga Superiorja. Kukësi ndërkohë nuk është ndalur me kaq, pasi ka njoftuar polakët e Zaglebie Lubin se Ethemi është nën kontratë edhe për kupat e Europës. Nga ana tjetër, pala mbrojtëse e lojtarit pretendon se një klauzolë e tillë nuk vlen dhe është kundër rregullave të FIFA-s dhe UEFA-s.

Ethemi ka edhe një plan B, në rast se Zaglebie Lubin nuk vepron. Dy oferta, nga Turqia dhe Izraeli, e tundojnë atë dhe është gati t’i marrë në konsideratë, madje po mendon që të nënshkruaje pas datës 3 shtator, kur edhe ai t’i ketë mbushur 23 vjeç. Kjo lëvizje i heq Kukësit 60 mijë euro, të garantuara nga taksa e formimit.

Jo vetëm kaq, pasi avokatët e Ethemit janë gati të vijojnë betejën ligjore për shpifje, mashtrim dhe paraqitje e fakteve të rrejshme, mes tyre një dokument që thotë se futbollisti ka marrë 20 mijë euro paradhënie që të luajë në kupat e Europës. /abcnews.al