Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka njoftuar se si po vijon situata e zjarreve në vend.
30 vatra zjarri janë raportuar në 24 orët e fundit, nga të cilat 22 janë shuar pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile. Është shuar edhe vatra e zjarrit ne fshatin Malecaj të bashkisë Lezhë për të cilën u angazhuan prej ditesh forcat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura.
Por vijojnë të jenë aktive këtë të hënë zjarret në:
Vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë ku këtë të hënë situata paraqitet e përmirësuar.
Zjarri në fshatin Torovicë të bashkisë Lezhë, ditën e sotme vijon me intensitet të ulët, janë angazhuar për shuarjen e tij shërbimi zjarrfikës dhe struktura vullnetare.
Zjarri në fshatin Mal Shëngjin, ku ditën e dielë është arritur vënia nën kontroll e tij, por si pasojë e erës së fortë është përkeqësuar sërish.
Po vijojnë operacionin ditën e sotme strukturat vendore të mbështetura nga Forcat e Armatosura.
Po punohet edhe për shuarjen e zjarrit në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë dhe pjesërisht në bashkinë Has, ku janë angazhuar ditën e sotme strukturat vendore të dy bashkive të mbështetura nga Forcat e Armatosura.
Aktive janë vatrat në fshatin Hoten, bashkia Vau Dejes, në bashkinë Fushë Arrëz, në fshatin Xhathe, i cili të dielën mori përmasa të menjëhershme si pasojë e erës së fortë. Vijon edhe këtu operacioni i strukturave vendore, mbështetur nga efektivët e FA.
Në vatrën e zjarrit në fshatin Zavalinë, në Elbasan të dielën u bë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në kurorën e pishave edhe me angazhimin e FA. Po ashtu po punohet edhe në një tjetër vatër në bashkinë Maliq, fshati Lozhan-Bode./abcnews.al