Shpëtim Duro, trajneri i Kukësit, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Tiranën dhe garën për titull. “Futbolli nuk ka gjëra absolute. Varet si vjen edhe barazimi. Po të shohim ndeshjen me Bylisin, para ndeshjes ishte i pranueshëm. Në fund dolëm të mërzitur, pasi morëm një pikë kur duhet të merrnim tre. Varet si vjen barazimi dhe situatat e lojës. Ne dhe Tirana do mundohemi të marrim maksimumin. Pastaj vendos fusha kush do jetë fituesi”.
“Ka shumë përballje, sa ka kaluar gjysma e kampionatit. Është ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat. Do ndikojë shumë në aspektin moral, por në aspektin e kampionatit kam mendimin se nuk është vendimtare. Do jetë një luftë deri në momentet e fundit, sido të shkojë kjo ndeshje, së bashku me Partizanin që u fut në garë. Kështu kampionati do të jetë më interesant. Çdo javë ka llogari, kampionati është i hapur. Kjo ndeshje nuk vendos gjithçka, është e rëndësishme.
“Nuk u mërzita në Ballsh pse e pësuam golin në fund, por pse nuk e mbyllëm ndeshjen më parë. Kishim shumë mundësi për ta mbyllur. Ndeshja 1-0 nuk ka asnjë garanci. Sulmi më i mirë kundër mbrojtjes më të mirë? Ne jemi skuadra më e mirë, si në aspektin sulmues – jemi mbrapa Tiranës me 2-3 gola më pak – si në aspektin mbrojtës. Treguesit teknikë e thonë këtë gjë. Do kujdesemi të kemi ekuilibër. Kemi marrë masa për mbulimin e kundërshtarëve, pasi kanë lojtarë cilësorë. Edhe ne kemi lojtarë cilësorë në sulm dhe Tirana do e vuajë këtë”.
“E respektoj Tiranën si skuadër. E kam pritur të vijë në këtë situatë, pasi është një nga klubet që ka investuar më shumë në verë. Kështu që nuk i druhem, e respektoj për paraqitjen që kanë bërë dhe për cilësitë që kanë. Edhe ata duhet të na respektojnë, pavarësisht se ne e luajmë gjithë sezonin si mysafirë”.
“Gavazaj dhe Rroca jashtë forme? Janë dy lojtarë të rëndësishëm. Kemi grupin e plotë. Të dy kanë pasur probleme kohët e fundit. Dëmtimet i kanë pasur të lehta. Janë gati për ndeshjen nesër”.
“Nuk ka ndeshje të njëjta, po të ishte ashtu e kishim fituar dhe nuk luanim fare. Kështu që çdo ndeshje ka historinë e vet, edhe pse ne i kemi fituar dy ndeshjet me ta. Kjo është një ndeshje tjetër dhe nuk ka favoritë, të jemi realistë. Të shohim kush do interpretojë më mirë për të arritur maksimumin”.
“Jemi mësuar me problemin e fushës. Ne kudo jemi mysafirë, nuk kemi entuziazmin që kanë Tirana e Partizani. Në këto ambiente na kanë bërë më mirë, pasi kemi pasur tifozë. Të shikojmë nesër për kë do flasë më shumë stadiumi e fusha”.
“Më pëlqen koreografia e tifozëve të Tiranës. Para pesë vitesh kam dalë me deklaratë, kur u falën tifozët e Tiranës që të vinin në stadium në derbi. Bëra mirë sepse erdhën tifozët e Tiranës dhe të Partizanit dhe në fund fitoi Partizani. Kështu që më pëlqen ambienti. DO ishte njëlloj edhe në Elbasan, edhe atje do kishte më shumë tifozë Tirana. Nuk e shikoj si disfavor. Në fund vendos fusha”, u shpreh Duro. /abcnews.al